Iniciativa për progres akuzon Ministrinë e Mjedisit për jotransparencë

  • 19 July 2019 - 15:02
Iniciativa për progres akuzon Ministrinë e Mjedisit për jotransparencë

Iniciativa për progres përmes një komunikate për media ka akuzuar Ministrinë e Mjedisit për jotransparencë në qasjen e dosjeve të hidrocentraleve në Shtërpcë.

“Paqartësive të cilave u ka kontribuar jotransparenca e organeve publike në nivelin qendror dhe komunal rreth ndërtimit të hidrocentraleve në Komunën e Shtërpcës po vazhdon t’i kontribuojë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH)”.

Sipas kësaj iniciative Ministria e Mjedisit ka refuzuar kërkesën e saj për qasje në dokumentet publike.

“Kjo Ministri ka refuzuar qasjen e INPO-s në dokumentet publike të dosjeve të këtyre hidrocentraleve. Për këtë arsye, INPO reagon kundër kufizimit të qasjes në dokumente publike, respektivisht qasjes në pëlqimet, lejet, licencat që janë dhënë sipas kompetencës ligjore të MMPH-së për ndërtimin e hidrocentraleve në pellgun e lumit Lepenc”.

Sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, afati për shqyrtimin e kërkesave për qasje në dokumente publike është shtatë (7) ditë, dhe heshtja apo mospërgjigja e institucionit në kërkesë, konsiderohet refuzim i qasjes në dokumente publike.

Sipas Iniciativës për progres, e drejta e qasjes në dokumente publike dhe informata është e drejtë kushtetuese e çdo qytetari të Republikës së Kosovës dhe si e tillë, duhet të zbatohet dhe të promovohet në vazhdimësi nga ana e institucioneve publike.

INPO fton MMPH-në që ta zbatoj ligjin për qasje në dokumente publike, dhe t`i ofroj qasje INPO-s dhe gjithë publikut në dokumente dhe informata zyrtare në lidhje me hidrocentralet në Shtërpcë.

(Kosova Sot Online)