Denoncohen ashpër skandalet e Haradinajt, ky është paralajmërimi

  • 20 July 2019 - 07:41
Denoncohen ashpër skandalet e Haradinajt, ky është paralajmërimi

“Që nga pas lufta nuk është parë ndonjë koncept tjetër nga ky që është edhe tani, nepotizmi, nëpërkëmbja dhe keqpërdorimi i buxhetit dhe financave publike për familjarët dhe partizanet partiak. Kjo politikë e gabuar është zbatuar në vazhdimësi dhe ka bërë që të krijohet administratë publike të ngulfatur dhe me mundësi të mëdha për korrupsion e pa llogaridhënie”, tha Abazi për “Kosova Sot Online”.

Qeveria e koalicionit PAN, me në krye shefin e saj në largim, Ramush Haradinaj, sipas analistëve politikë do të mbahet në mend si një nga qeveritë më të ngarkuara dhe me skandalet që nuk janë ndalur as edhe për një javë të vetme së pushuari.

Sipas analistëve, emërimet në pozita të ndryshme të shpikura vetëm sa për rehati të militantëve politik, është një fenomen që i ka përcjellë të gjitha qeverisjet e deritanishme, ka qenë praktikë e mbrapsht e keqpërdorimit të institucioneve publike, por kjo qeveri e kryesuar nga Ramush Haradinaj, ka arritur kulmin, ku së fundi ka hapur konkurse të reja, si edhe për pozita nën koordinatorësh dhe për asistentë të nën koordinatorëve rajonalë.

Kjo praktikë e funksionimit të një mentaliteti të tillë të qeverisjes, sipas analistit politik, Haki Abazi, edhe në të kaluarën por edhe tani ka vetëm një qëllim, zhvatjen dhe korrupsionin përmes fryrjes së burokracisë në administratë.

Image
Haki Abazi

"Që nga pas lufta nuk është parë ndonjë koncept tjetër nga ky që është edhe tani, nepotizmi, nëpërkëmbja dhe keqpërdorimi i buxhetit dhe financave publike për familjarët dhe partizanet partiak. Kjo politikë e gabuar është zbatuar në vazhdimësi dhe ka bërë që të krijohet administratë publike të ngulfatur dhe me mundësi të mëdha për korrupsion e pa llogaridhënie”, tha Abazi për “Kosova Sot Online”.

Madje sipas Abazit, me këtë rrjet të ngarkimit të administratës, qeveritë e të gjitha mandateve kanë krijuar aso pengesash për të penguar llogaridhënien dhe transparencën sa që është tepër e vështirë të përcillet puna dhe kontrolli i qeverisjes së shteti, shpenzimet e buxhetit që vetëm ata dinë se si i arsyetojnë dhe i manipulojnë. 

“Qeveritë kanë krijuar shtresa të barrierave dhe burokracisë që është vështirë për të kontrolluar dhe janë shpenzuesit ose më mirë të themi gërryesit e buxhetit të Kosovës pa rezultate minimale”,tha Abazi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, edhe pastrimi i administratës nga këta njerëz partiak do të jetë shumë i vështirë në të ardhme dhe do të krijojë kulturën e parazitëve tek punonjësit.

Sipas analistit Abazi, kjo formë e keqpërdorimit të pushtetit-pozitave zyrtare, krijimi i kësaj kulture të nëpërkëmbjes së shtetit, shkon deri në ato shkelje që mundë të kualifikohen edhe si vepër penale.

“Niveli i nëpërkëmbjes së shtetit dhe jo serioziteti me të cilin po trajtohen pozitat dhe përgjegjësitë, kjo kulturë qeverisëse dhe ky trajtim është kundër logjikës së shteti funksional dhe lehtë mundë të trajtohet edhe si keqpërdorimi pozitave zyrtare për beneficione dhe përfitime private që është edhe vepër penale”, përfundoi analisti, Haki Abazi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)