Dorëheqja e Ramushit na i shtoi 250 anëtarë – thotë zyrtari i AAK’së

  • 20 July 2019 - 22:51
Dorëheqja e Ramushit na i shtoi 250 anëtarë – thotë zyrtari i AAK’së

Gjatë ditës së premte, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit. E gjitha kjo ndodhi për shkak se ai u ftua për intervistim nga Gjykata Speciale në cilësinë e të akuzuarit. E kjo sipas zyrtarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka bërë që të rritet numri i anëtarëve të partisë.

Ali Berisha, përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se AAK’së në Pejë, i janë bashkangjitur edhe 250 anëtarë të rinj, e që është si rrjedhojë e dorëheqjes së Haradinajt nga pozita e kryeministrit.

“Sot në degën e Aleancës në Pejë si refleksion i vendimit të përgjegjshëm e burrëror të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, u anëtarësuan mbi 250 anëtar të ri” shkroi ai.

Sipas Berishës, kreu i kësaj partie “ruajti dhe lartësoj dinjitetin e institucioneve dhe shtetit të Kosovës”.

Pas dorëheqjes së Haradinajt nga pozita e kryeministrit, të gjitha partitë politike kanë bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme në vend. 

(Kosova Sot Online)