Rasti i Drenasit, prokuroria në gjumë: Ende nuk është dorëzuar aktakuza në Gjykatë

  • 23 July 2019 - 15:10
Rasti i Drenasit, prokuroria në gjumë: Ende nuk është dorëzuar aktakuza në Gjykatë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ende nuk e ka dorëzuar në Gjykatë aktakuzën për rastin e abuzimit seksual të vajzës nga Drenasi. Kjo prokurori, pritet që gjatë mesit të muajit gusht ta dorëzojë këtë aktakuzë pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës. Arsyeja e vonesave sipas prokurorit të rastit ka të bëjë me një ekspertizë financiare për këtë rast e cila po ekzaminohet jashtë Kosovës. E ndërkohë për rastin, tashmë janë intervistuar edhe dy persona të rinj si dëshmitar. Ata janë kolegë të profesorit i cili dyshohet se seksualisht ka abuzuar me viktimën 16-vjeçare nga Drenasi.

Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës thonë se po e presin një ekspertizë financiare e cila do t’i jap më shumë detaje rastit të abuzimit seksual të vajzës 18-vjecare nga Drenasi.. Lënda bashkë me ekspertizën pastaj do t’i dorëzohet Gjykatës. E kjo pritet që të ndodhë pas dy javëve.

Kështu tha për Gazetën, prokurori i rastit Ruhan Salihu.

“Rreth çështjes së aktakuzës për këtë lëndë, ne po e presim edhe një ekspertizë. Posa të na vijë, do t’ia bashkëngjisim aktakuzës dhe bashkë me të do ta dorëzojmë në gjykatë”, sqaroi Salihu.

E ekspertiza financiare ka të bëjë për njërin nga tre personat e akuzuar për abuzimin seksual ndaj vajzës nga Drenasi. Kjo ekspertizë do t’i jap pasqyrën financiare të të hyrave bankare për njërin nga të akuzuarit për këtë rast. Ajo është dërguar për ekspertizë jashtë Kosovës.

Për këtë rast si të involvuar në abuzimin seksual ndaj vajzës nga Drenasi, janë 3 persona si dhe një gjinekolog i cili dyshohet se jashtëligjshëm e ka kryer abortin e vajzës. 

Sipas Prokurorisë, vajza nga Drenasi, ishte dhunuar seksualisht nga një profesor i shkollës së mesme Xh. Gashi dhe nga polici, V.Veseli. Pas hetimeve të tjera u dyshua se ajo u dhunua edhe nga avokati i cili e kishte bërë publik rastin e saj, G.Halilaj.

18 vjeçarja kishte abortuar në një klinikë private në Prishtinë pasi ishte detyruar nga polici. Por, ende nuk është konfirmuar saktë se i kujt ishte fryti.

Edhe disa policë tjerë të Stacionit në Drenas janë përfshirë në hetime por ende asnjëri prej tyre nuk është suspenduar dhe nuk ka pasur ndonjë masë disiplinore.

Por pas disa muajve qëndrim në burg, avokati Halilaj është liruar nga ana e Prokurorisë së shtetit. Masa e burgut i është zëvendësuar atij me arrest shtëpiak.

Kujtojmë se më 5 shkurt në media u raportua se e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht nga profesori SH. Gashi dhe nga hetuesi policor V. Veseli, ky i fundit dyshohet se e kishte lënë shtatzënë të miturën e pastaj e kishte detyruar që të abortojë.

(Kosova Sot Online)