OVL UÇK bën thirrje për lirimin e ish-ushtarit të UÇK-së

  • 24 korrik 2019 - 14:24
OVL UÇK bën thirrje për lirimin e ish-ushtarit të UÇK-së

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së degët në Dukagjin kanë reaguar lidhur me arrestimin e ushtarit Tomor Morina nga organet e Maqedonisë Veriore.

OVL UÇK degët në Dukagjini përmes një komunikate për media ka thënë se është i papranueshëm arrestimi me urdhërarrest të Serbisë.

“Ndalimi i luftëtarit të lirisë Tomor Morina nga organet e Maqedonisë Veriore, bazuar në urdhërarrest të Serbisë është i papranueshëm. Ky precedan i krijuar edhe më herët në shtetet tjera, më së paku është dashur të ndodhë në një nga shtetet që aspiron drejt integrimeve euroatlantike”.

Kjo organizatë ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Tomor Morinës.

“OVL UÇK degët e Dukagjinit, kërkojnë menjëherë lirimin e bashkëluftëtarit tonë Tomorit, duke apeluar që të mos përsëriten më akte të tilla”.

Ata janë deklaruar se respektojnë shtetin e Maqedonisë Veriore por jo edhe zbatimin e vendimeve të Millosheviqit.

“Ne i respektojmë institucionet e Maqedonisë Veriore dhe të arriturat e tyre në rrugën euroatlantike, si dhe bashkëpunimin e saj me Republikën e Kosovës, por vendimet e Millosheviqit nuk duhet te zbatohen nga një shtet i civilizuar”, thuhet në reagimin e OVL UÇK degët e Dukagjinit. 

Ish-ushtari i UÇK-së në zonën e Dukagjinit, Tomor Morina, është arrestuar në Maqedoni, raporton Gazeta Express.

Për ish-ushtarin e UÇK-së, Tomor Morinën, Serbia kishte lëshuar fletëarrest.

Express mëson se Morina është ndaluar nga policia e Maqedonisë e cila ka vepruar në bazë të fletarresitit serb të lëshuar kundër tij.

(Kosova Sot Online)