Hoti e godet Haradinajn: Në fillim duhet t’i sanojmë dëmet e njeriut që SHBA’ja ia refuzoi vizën

  • 24 July 2019 - 14:58
Hoti e godet Haradinajn: Në fillim duhet t’i sanojmë dëmet e njeriut që SHBA’ja ia refuzoi vizën

Shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, e ka kritikuar Qeverinë Haradinaj për të cilën thotë se më shumë ka pasur skandale sesa arritje. Hoti ka shkruar se qeveria e re duhet së pari t’i sanojë dëmet e koalicionit PAN. Ndërkaq e ka goditur Kryeministrin në largim, Ramush Haradinajn, duke ia përmendur refuzimin e vizës nga SHBA’të

Ish- kandidati i LDK-së për kryeministër në mandatin e kaluar, ka theksuar se qeveria e re do të jetë normale, dhe me njerëz që e respektojnë ligjin.

“Në fillim domosdo duhet sanuar dëmet që po i lë prapa qeveria e PAN-it, një qeveri e kaosit, e zhvatjes së buxhetit, e izolimit të lidershipit të Kosovës, e dështimit të diplomacisë dhe çnjohjeve për shtetin e Kosovës, e ministrave me aktakuza, e takimeve me njerëz të krimit, që urdhëron e kërcënon prokurorë, që i refuzohet visa nga vendi më mik i Kosovës, që ndan buxhet për frizere e roleta, që shpërdoron buxhetin në përvjetorë të pavarësisë e në projekte të ndryshme, që merr vendime vetëm për interesa ekonomike të këshilltarëve të vetë, që ja dyfishon pagën vetes, që ndaj pronën publike e nacionalizon pronën private kundërligjshëm, qeveri me pesë ‘kryeministra’, 21 ministra, 80 zëvendësministra, me qindra këshilltarë e me koordinatorë nacional. Sikur të kishte edhe pak jetë, do të emëronte edhe nën-koordinatorët dhe asistentët e nën-koordinatorëve.”, ka shkruar Hoti.

Hoti thotë se plani katër vjeçar i qeverisë së re duhet të përfshijë reforma rrënjësore në ekonomi, arsim, shëndetësi, sundim të ligjit, siguri nacionale, integrime rajonal e euro-atlantike dhe fusha të tjera.

Në shtatë pikat që Hoti i ka shpërndarë, ka përfshirë arsimin, shëndetësinë, buxhetin, sigurinë, diplomacinë e ekonominë. Sipas tij, të gjitha këto duhet të përmirësohen nga qeveria e re.

“Në fushën e ekonomisë, bizneset do të marrin prapë frymë lirisht, pa u përkëdhelur askush e pa i rënë në qafë kujt, përfshirë këtu eliminim e të gjitha kontratave të dëmshme e monopoleve jo ligjore”, ka shkruar Hoti.

Ai thotë se arsimi do të lirohet nga diktati i kryeministrit dhe ministrit të arsimit. Ndërkaq ka përmendur edhe librat shkollor për të cilët thotë se nuk do të shkruhen nga njerëz që nuk e kuptojnë ku kanë arritur standardet e mësimnxënies në shekullin XXI.

Hoti ka përmendur edhe sigurimet shëndetësore, për të cilat thotë se janë harruar.

Ndërkaq për rendin dhe ligjin, Hoti thekson se duhet vetingu dhe reforma që të sigurohet sistem efikas, ku barra e provës kalon tek pala.

“Policia jonë do të jetë efikase në të katër anët e Kosovës, duke ofruar mbrojtje të përhershme për qytetarët, e jo vetëm përmes aksioneve policore të njëhershme. Gjykatësit dhe prokurorët nuk do të guxojë t’i urdhërojë dhe kërcënoj askush. Ministri i Drejtësisë do të qëndrojë larg Këshillit Gjyqësorë dhe Këshillit Prokurorial, që janë pushtet i pavarur nga Qeveria”, ka shkruar Hoti.

(Kosova Sot Online)