Ja kur priten aktakuzat e para nga Gjykata Speciale?

  • 27 July 2019 - 22:23
Ja kur  priten aktakuzat e para nga Gjykata Speciale?

Tash e sa muaj prej se në Kosovë kanë ardhur ftesat e para nga Gjykata Speciale, të gjithë të ftuarit janë ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u intervistuan.

Disa nga ta në cilësinë e dëshmitarit e disa si të dyshuar.

I pari që pati konfirmuar pranimin e ftesës nga prokurori i specializuar, në fillim të dhjetorit të vitit 2018, ishte Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit. Ndërkohë gjatë javës që shkoi ftesë për intervistim mori edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit Ramush Haradinaj, i cili menjëherë pas kësaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Duke marrë parasysh të gjitha zhvillimet që ndërlidhen me Gjykatën Speciale, avokati Tahir Rrecaj ka konsideruar se aktakuzat e para mund të ngrihen në vjeshtën e këtij viti.

“Besoj që aktakuzat mund të ngrihen diku nga vjeshta e këtij viti, sepse është një fazë shumë intensive e përfundimit të hetimeve nga ana e prokurorit të Dhomave të Specializuara”, ka deklaruar Rrecaj.

Rrecaj, i cili është avokat i pesë personave të dyshuar, ka thënë se ka të atillë persona që janë ftuar nga Gjykata, porse nuk duan ta bëjnë publik emrin e tyre. Në këtë drejtim ai ka bërë të ditur se vetëm njëri nga klientët e tij ka shprehur dëshirën të tregojë publikisht që është ftuar nga Specialja.

Sipas Artan Çerkinit, avokat i akredituar nga Gjykata Speciale, pesha e personave që janë ftuar së fundi nga kjo gjykatë ka bërë të mendohet se është intensifikuar puna e Speciales.

“Ndoshta vetë pesha e personave që kanë marrë ftesa kohët e fundit ka krijuar një perceptim se Prokuroria e Specializuar është më aktive” tha ai.

Në fakt Prokuroria ka qenë aktive qysh prej fillimit të vitit, vazhdimisht ka dërguar ftesa, por ndoshta po duket se është intensifikuar puna e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.


(Kosova Sot Online)