Zbulohet skenari i deputetëve kosovarë: Ja pse nuk po shpërbëhet Kuvendi

  • 20 July 2019 - 15:14
Zbulohet skenari i deputetëve kosovarë: Ja pse nuk po shpërbëhet Kuvendi

“Shantazho dhe sundo!Kjo është logjika që po e sundon Kosovën qe 20 vite. Fatkeqësisht qytetari nuk po lidhet me të drejtin por me të fortin. E i forti e ka bërë lekun dhe po e menaxhon situatën sipas qejfit të vetë ku “ Forca e bënë Fuqinë”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Ish kreu i Agjencionit Kundër Korrupsionit në Kosovë, Hasan Preteni, po e vlerëson lojë të interesit të skajshëm politik zvarritjen e shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës nga deputetët, pas bërjes publike të vendimit të Ramush Haradinajt që të jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit.

Sipas Pretenit, deputetët e pozitës dhe opozitës e kanë gjetur formulën e taktizimit për t’i ruajtur privilegjet e tyre që ju takojnë pas llogaritjes kushtetuese të mandatit të plotë.

Image
Hasan Preteni

“E kjo i bije që ata duhet të mbushin dy vjet si deputet të parlamentit për ta fituar këtë të drejtë. Kjo është arsyeja e vetme pse partitë politike nuk e kanë kërkuar seriozisht thirrjen e seancës së për ta votuar, rikonfirmuar dorëheqjen e shpallur të Ramush Haradinajt. Duke e shtyrë, zvarritur për disa ditë një seancë të tillë ata do ta arrijnë afatin ligjor të kapjes së mandati të plotë dy vjeçar të konstituimit të Kuvendit dhe sigurimit të privilegjeve që ju takojnë, dhe kjo arrihet nëse Kuvendi mblidhet dhe voton për shpërbërje vetëm pas datës 3 gusht, që është data e kalimit të dy vjetorit të dhënies së betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së zgjedhjeve të vitit 2017. Në këtë linjë është duke shkuar edhe zvarritja e fillimit të zhvillimit të konsultave nga presidenti Thaçi me partitë politike”, ka thënë Preteni. 

Krejt ky skenar, sipas Pretenit është edhe një lloj shantazhi dhe ka qëllimin e ruajtjes së mundësisë për të përfituar maksimalisht privilegjet që ju sjellin të ardhura të majme edhe për një vit si deputet pasiv, atyre që nuk do të jenë të rikandiduar dhe të rizgjedhur.

“Tek leku, të gjithë janë të njëjtë, të gjitha i bëjnë por lekun sepse nuk e lëshojnë atë të ju ikë. Deputetët edhe një vit, dhe edhe pse u dorëhoq kryeministri, që të gjithë llogarisin në lekun që e marrin pa djersë, po ashtu është edhe tek të gjitha ato ministri, sa ministrat e zëvendës ministrat, sa këshilltari e koordinatori. Kjo është turpi i dynjasë“, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, edhe në këtë pjesë të mandatit që po e përfundojnë këta qeveritar, zhvatja me paga të larta ka qenë objektivi kryesor, prandaj edhe i rritën pagat në fillim të mandatit, duke blerë kështu paqen edhe me drejtësinë, fushë kjo që u ndikua dhe përfitoj nga rritja.

“Kryeministri me ata të listës së famshme të qeverisë, këshilltarët, prokurorët e gjyqtar veç i kanë marr pagat për katër vjet. Po e them këtë sepse që në fillim i rritën rrogat 100% kështu që i bie se për dy vjet i kanë marrë pagat ligjore për katër vjet! U paguan prokurorët dhe gjyqtarët kështu që tani të shantazhuar nuk mundë të reagojnë në shkeljet ligjore as nga ato të legjislativit dhe as të ekzekutivit sepse që të gjithë janë të shantazhuar”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot Online”.

Ai po ashtu mendon se politika e shantazhit në drejtësi dhe kudo është instaluar dhe po vazhdon pa pengesë hiq më pak se dy dekada të plota.

“Shantazho dhe sundo! Kjo është logjika që po e sundon Kosovën qe 20 vite. Fatkeqësisht qytetari nuk po lidhet me të drejtin por me të fortin. E i forti e ka bërë lekun dhe po e menaxhon situatën sipas qejfit të vetë ku “ Forca e bënë fuqinë”, përfundoi Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)