Alarmi serioz nga ndërkombëtarët, ky është paralajmërimi i ashpër për Qeverinë e re

  • 04 August 2019 - 08:26
Alarmi serioz nga ndërkombëtarët, ky është paralajmërimi i ashpër për Qeverinë e re

“Në Republikën e Kosovës, Kuvendi dhe Qeveria,pritet që edhe në mandatin e ri politik e institucional, të jenë rëndë të sfiduara dhe të shantazhuara pareshtur, pikërisht për shkak të pazareve skandaloze të Hashim Thaçit në dëm të Kosovës, në procesin destruktiv të bisedimeve, me Serbinë”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Bazuar në temat dhe agjendat të cilat po i lë në gjysmë të rrugës Qeveria e PAN-it në dorëheqje, së bashku me Kuvendin që është para shpërbërjes, që në historinë e shteti të ri të Kosovës do ta mbahen mend si legjislatura e dhurimit të 8 mijë hektarëve tokë Malit të Zi, sipas analistëve politikë, po aq i hendikepuar dhe i diskredituar pritet të jetë edhe mandati i ri qeverisës në Republikën e Kosovës, Kuvendi dhe qeveria, një mandat i sfiduar dhe shantazhuar, për shkak të procesit të bisedimeve me Serbinë, pritjet për pazare në dëm të interesat të shtetit.

Këtë prognozë e japin analistët politikë, të cilët i kanë përcjellë dhe vazhdojnë t’i përcjellin së afërmi zhvillimet brenda dhe përreth Kosovës.

Image
Gani Qarri

Sipas analistit Gani Qarri, legjislatura e radhës që do të del nga zgjedhjet e kësaj vjeshte, nuk mundë të jetë ndryshe veç se një legjislaturë e telekomanduar, njëjtë siç ishte legjislatura e tanishme, pasi që edhe mesazhet kanë filluar të vijnë tani akoma pa u mbajtur zgjedhjet dhe pa u formuar institucionet e reja.

Sipas Gani Qarrit, mesazhi serioz i vjen tani qeverisë së re të Kosovës dhe kuvendit nga zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Matthev Palmer, i cili ka thënë se Kosova e ka për detyrë primare të zgjedhë qeverinë e re e cila duhet të bëjë gjithçka që është e mundshme që të vazhdojë dialogun dhe të heq taksën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës.

“Fatkeqësisht, duket publikisht se ka përpjekje të hapura destruktive nga mafio-politika vendore dhe ajo ndërkombëtare, që edhe legjislatura e re, të jetë e varur, si dhe po aq e kapur dhe telekomanduar nga politikanët e kriminalizuar të vendit, njëjtë siç ishte edhe legjislatura e deritanishme në dorëheqje e qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës. Në Republikën e Kosovës, Kuvendi dhe Qeveria,pritet që edhe në mandatin e ri politik e institucional, të jenë rëndë të sfiduara dhe të shantazhuara pareshtur, pikërisht për shkak të pazareve skandaloze të Hashim Thaçit në dëm të Kosovës, në procesin destruktiv të bisedimeve, me Serbinë”, tha Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

Madje ai thotë se kjo agjendë, vetëm tani po i tregohet lidershipit kosovar nga ndërkombëtarët me ndikim dhe autoritet vendimmarrës prandaj sfidat do të jenë shumë serioze.

“Mesazhi më serioz qeverisë së re dhe kuvendit të Kosovës , i vjen qysh tani nga zëvendës ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Matthev Palmer. Ai decidivisht deklaron se Kosova e ka për detyrë primare të zgjedhë qeverinë e re e cila duhet të bëjë gjithçka është e mundshme që të vazhdojë dialogun dhe të heq taksën ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës, pa përmendur rreziqet dhe pasojat e mundshme që mund ti vijnë me këtë rast, shtetit të Kosovës”, përfundoi analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)