Këshilli i Etikës merr vendim kundër profesorit mashtrues

  • 06 August 2019 - 11:20
Këshilli i Etikës merr vendim kundër profesorit mashtrues

Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës ka marrë vendim për shqiptimin e masës “vërejtje me shkrim” për profesor asistent Ilir Shehu nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, pasi ka aprovuar denoncimin e ORCA-s të bërë më 14 shtator 2018.

ORCA njofton përmes një komunikate për media se Këshilli i Etikës i UP-së ka konstatuar se profesori Shehu ka kryer dy shkelje të rënda sipas rregullativës në fuqi: “Kryerja e aktiviteteve që bien ndesh me interesat e institucionit apo veprimet që e dëmtojnë institucionin” dhe “keqpërdorim i autoritetit dhe emrit të universitetit për përfitime personale” nga rregullorja nr. 857.

Siç është konstatuar edhe në vendimin e Këshillit të Etikës i datës 23 korrik 2019, pas denoncimit nga ORCA të revistës “International Journal of Pharmaceutical Sciences Review” për praktikat mashtruese pasi kjo revistë botoi punim pa asnjë kualitet të autorit fiktiv Rrush Kalaveshi, Senati e futi këtë revistë në listën e revistave të dyshimta.

I denoncuari Ilir Shehu duke paraqitur veten si prodekan të Fakultetit ku punon, i ka shkruar revistës mashtruese dhe i ka kërkuar ta heqë punimin e Rrush Kalaveshit pasi në të njëjtën revistë kishin publikuar edhe disa profesorë të tjerë, të cilët nuk u avancuan pasi revista u fut në listën e revistave të dyshimta nga Senati.

Vetë ilir Shehu ka publikuar 5 punime në këtë revistë që tashmë konsiderohet mashtruese edhe nga Senati i UP-së, thuhet më tej në komunikatë.

ORCA përshëndet vendimin e Këshillit të Etikës, por mendon se shkeljet e kryera nga profesori kanë merituar masa më të ashpra. Sido që të jetë ORCA shpreh përkushtimin që ta denoncojë secilin që mendon se mund ta mashtrojë Universitetin e Prishtinës apo taksapaguesit kosovarë përmes komprometimit të procesit të avancimeve në UP.

ORCA zotohet edhe njëherë publikisht që asnjë mashtrues nuk do të mbetet i pa demaskuar dhe se hulumtimet e ORCA-s në bashkëpunim me profesorët e ndershëm do të sjellin para përgjegjësisë secilin mashtrues.

(Kosova Sot Online)