Italiani arrestohet në Prishtinë, kishte rrëmbyer e dhunuar një shtetase gjermane

  • 06 August 2019 - 11:38
Italiani arrestohet në Prishtinë, kishte rrëmbyer e dhunuar një shtetase gjermane

Policia e Kosovës njofton se, në bashkëpunim me autoritetet Gjermane, pas pranimit të informacioneve përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit, ka realizuar një operacion policor mjaft të suksesshëm duke arritur lirimin e një femre të rrëmbyer.

Ky operacion policor është realizuar dje nga Njësiti për Hetime të Përgjithshme, që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, i cili ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar.

“Hetuesit policorë, pas grumbullimit të informacioneve në rrugë operative si dhe pas zgjerimit të hetimit të përcjellë me një reagim të shpejtë të tyre, kanë arritur që të identifikojnë dhe arrestojnë personin e dyshuar R.S mashkull, 39 vjeç, shtetas italian. Viktima e rastit, shtetase gjermane, është dërguar për ekzaminim mjekësor, pasi që e njëjta dyshohet se është mbajtur e mbyllur që nga data 3 gusht 2019”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Policia tha se personi i dyshuar është intervistuar në objektet policore dhe, me vendim të prokurorit, i njëjti është dërguar në mbajtje.Po ashtu, Policia tha se janë duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave te ngjarjes.

(Kosova Sot Online)