Kryeministri i ri mund të shpallë zgjedhje të parakohshme

  • 07 August 2019 - 11:41
Kryeministri i ri mund të shpallë zgjedhje të parakohshme

Në Britaninë e Madhe mendohet se kryeministri i ri i vendit, Boris Johnson, mund të shpallë zgjedhje të parakohshme.

Vizitat e kreut të qeverisë në çdo rajon të vendit, premtimet për investime miliarda dollarë në infrastrukturë dhe përzgjedhja e një eksperti të fushatave zgjedhore në stafin e tij, janë disa nga treguesit që mediat vendase qarkullojnë në faqet e tyre.

Këto nisma duket se janë provokuar nga sfida më e madhe me të cilën përballen britanikët, që është dalja nga Bashkimi Evropian më 31 tetor.

Johnson raportohet se ka trashëguar një shumicë të lëkundur deputetësh që nuk e përkrahin. Zgjedhjet e reja do i mundësonin atij një grup parlamentarësh në favor të planit të tij Brexit, që ai është zotuar ta çojë përpara edhe pa dakordësinë e BE-së.

Sondazhet tregojnë se edhe në rastin e zgjedhjeve të reja, konservatorët do të ishin më të avantazhuarit me një numër gati dyshifror nga partitë e tjera politike, laburistët do të renditeshin 10 pikë më poshtë me 22 për qind të votës, liberaldemokratët me 19 për qind, dhe të gjelbrit 11 pikë më pak.

Për zgjedhjet e parakohshme mund të bëhet shkas së shpejti edhe një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, që opozitarët laburistë dhe disa deputetë të shumicës kanë paralajmëruar se do ta votojnë në muajin shtator.

(Kosova Sot Online)