Vritet djali i policit shqiptar, kishte shkuar në Gjermani ditën kur ndodhi krimi. Sherri që nisi në lokal

  • 15 August 2019 - 14:17
Vritet djali i policit shqiptar, kishte shkuar në Gjermani ditën kur ndodhi krimi. Sherri që nisi në lokal

Keidi Pasha 20 vjeç është vrarë me armë zjarri në Gjermani nga persona të paidentifikuar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 13 Gushtit në Wolfsburg. 20-vjeçari, lindur dhe banues në Burrel, kishte shkuar në Gjermani ditën kur ndodhi krimi. 

Tvklan.al ka mësuar nga autoritetet shqiptare se bëhet fjalë për djalin e punonjësit të Policisë Rrugore në Burrel, Arben Pasha.

Nga të njëjtat burime është bërë me dije dhe versioni paraprak i ngjarjes. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje që kanë deponuar për hetuesit gjermanë, fillimisht ka pasur një konflikt mes disa personave që ka nisur në një lokal në pronësi të dy shqiptarëve të tjerë.

Më pas sherri u zhvendos në anën tjetër të rrugës. Keidi Pasha dhe një mik i tij u qëlluan me armë nga një makinë e paidentifikuar kur po ecnin në trotuar. Autorët u arratisën në drejtim të paditur, ndërsa kanë qenë kalimtarët të cilët njoftuan policinë. 20-vjeçari dhe miku i tij u transportuan me urgjencë në spital në gjendje të rëndë. Fatkeqësisht, Keidi nuk mundi t’u mbijetonte plagëve. Kurse shoku i tij ndodhet në gjendje kritike.

Image

Një dëshmitar okular i tha policisë gjermane se dëgjoi të paktën 6 të shtëna me armë zjarri. Nga burime policore mësohet se trupi i të ndjerit nuk është sjellë ende në Shqipëri, ndërsa autoritetet gjermane po kryejnë ekspertizën mjeko-ligjore. Shkaqet e vrasjes janë të paqarta. Policia gjermane është duke hetuar motivet e konfliktit që besohet se nisi fillimisht në një restorant, si dhe po punon për të identifikuar autorin/ët e vrasjes. /tvklan.al

Shqiptarët qëllohen me armë zjarri në trotuar nga një makinë në lëvizje, njëri vdes (Emri)

Një shqiptar mbeti i vrarë me armë zjarri në Gjermani ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur.

Mediat gjermane shkruajnë se burrat e plagosur të moshës 30 dhe 31 vjeç, u gjetën në Meinestraße në rrethin Wolfsburg Vorsfelde

Zëdhënësi i policisë Sven-Marco Claus i tha BILD se të plagosurit janë të dy shqiptarë.

Burrat përfunduan në spital, por njëri prej humbi jetën më vonë si pasojë e plagëve të marra. Disa të shtëna u qëlluan në drejtim të të rinjve nga një makinë në lëvizje, çka do të thotë se vrasja ka qenë e parapërgatitur.

Viktima është identifikuar si Keidi Pasha.

Image

Ata po ecnin në trotuar. Një banor i tha BILD se kishte dëgjuar gjashtë të shtëna.

Hetuesit siguruan prova në vendngjarje, kontrolluan rrobat e viktimës për të dhëna për detaje. Një komision hetimor për vrasjen u krijua mëngjesin e sotëm me rreth 20 hetues dhe zyrtarë policie.

(Kosova Sot Online)