Kërkohet heqja e taksës ndaj Serbisë, por kështu duhet të veprohet me Thaçin

  • 16 August 2019 - 07:43
Kërkohet heqja e taksës ndaj Serbisë, por kështu duhet të veprohet me Thaçin

“Sa u takon bisedimeve me shtetin ish pushtues serb, në to nuk guxon më nga askush, të shkohet pa strategji veprimi dhe platformë për dialog, si dhe duhet tu ndalohet rreptësisht jo vetëm udhëheqja por edhe qasja e thjeshtë në bisedime e politik-bërësve të dyshimtë si kuislingu Hashim Thaçi, i cili me politikën e tij e solli vendin në këtë pozitë kaq denigruese dhe assesi të mos i lejohet edhe një favor tjetër Hashim Thaçit që të vazhdojë aty ku e ka lënë projektin e nisur kobzi me Aleksandër Vuçiqin, Edvin Kristaq Ramën dhe grupin e spiunëve të dëshmuar të UDB-së’, tha Qarri për “Kosova Sot Online “.

Deklarata e 5 ambasadave të shteteve më të fuqishme mbështetëse të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat po kërkojnë nga Kosova heqjen e menjëhershme të taksës dhe fillimin e dialogut me Serbinë, sipas analistëve politik në vend është një grusht i madh për politikën e pa përgjegjshme, të pa ditur e të shantazhuar të Kosovës që vjen tani në prag të zgjedhjeve të parakohshme.

Image

Sipas analistit politik, Gani Qarri në këto momente të vështira nëpër të cilat po kalon vendi, Kosovës pikësëpari i duhen njerëz me integritet personal, politik dhe intelektual që dinë ta përfaqësojnë denjësisht brenda dhe jashtë shtetin tonë, e jo më qeverisje sharlatanësh me udhëheqje mafiozësh e të kriminalizuarish, të cilët është dëshmuar katërçipërisht se përveç që nuk i bëjnë mirë as nderë këtij vendi dhe populli, por e kërcënojnë edhe me zhbërje shtetin tonë të brishtë.

“Kosovës i duhen njerëz të sprovuar me ngritje maksimale shkollore, që kanë dije të avancuar intelektuale dhe kapacitete maksimale për udhëheqjen e Kosovës në mënyrë evropiane, të cilët mund të dëshmohen si faktor i stabilitetit, prosperitetit, zhvillimit të shtetit dhe i zgjidhjes së problemeve me të cilat ballafaqohet vendi.

Vetëm duke i eliminuar nga skena, politik bërësit e deritanishëm të kriminalizuar deri në fyt, me aktpadi të ngritura e akuza për veprimtari të ndryshme penale dhe vendosë në pozitat udhëheqëse shtetërore personalitete me integritet të pa denigruar, proceset e zhvillimit të vendit mund të ecin përpara dhe kthehet besimi edhe për vijimin e bisedimeve me Serbinë agresive, pa rrezikuar integritetin territorial dhe shtetin e Kosovës”, tha Gani Qarri për” Kosova Sot Online”.

Qarri thotë se askush nuk mund ta mohojë efektin pozitiv që ka pasur vendosja e taksës në raport me Serbinë dhe Bosnjën, por tani ajo duhet të hiqet dhe të zëvendësohet me bojkot qytetar të prodhimeve serbe, për t’i hapur kështu rrugë diplomacisë në bisedime.

“Tani më përfundimisht ka ardhur koha që shqiptarët si popull ta dëshmojnë pjekurinë dhe vetëdijen e tyre kombëtare e shtetërore dhe vet qytetarët ta forcojnë e ngritin taksën në digë të pakalueshme për Serbinë, duke mos blerë dhe bojkotuar tërësisht prodhimet e kontaminuara që hyjnë nga Serbia në Kosovë”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sido qoftë, ai thotë se para se administrativisht të hiqet taksa, Serbia duhet ë tregon hapat e parë serioz karshi respektimit të Kosovës si shtet i pa varur.

“Gjithsesi, para se të hiqet taksa, në radhë të parë, Serbia duhet të ndryshojë qasjen dhe sjelljen ndaj Kosovës, ashtu siç edhe është kërkuar nga të pesë vendet e Quintit, si dhe në vend të taksës, duhet vendosur kushtin që në të gjitha mbishkrimet e ambalazheve të produkteve që vijnë nga Serbia, të destinuara për Kosovë, detyrimisht të shënohet, emri kushtetues i Republikës së Kosovës dhe të hyjë menjëherë në fuqi reciprociteti për çdo detaj ndërshtetëror, si opsion relevant me Serbinë”, theksoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Qarri thotë se thirrja në prag të zgjedhjeve për heqjen e menjëhershme të taksës dhe fillimin e dialogut me Serbinë, mund të jetë grusht i rëndë vetëm për politikbërësit e deritanishëm tërësisht të dështuar, por jo edhe për forcat e reja eventuale, me kredibilitet dhe të pa korruptuara, që kanë ide për ndryshime, ikjen nga sundimi i deritanishëm anadollak i vendit dhe drejtimin evropian të Kosovës.

Prandaj tani sipas Qarrit, bisedimet duhet të fillohen e vazhdohen me strategji të mirë përgatitur e assesi ndryshe, dhe nga ky proces duhet larguar Hashim Thaçi.

“Sa u takon bisedimeve me shtetin ish pushtues serb, në to nuk guxon më nga askush, të shkohet pa strategji veprimi dhe platformë për dialog, si dhe duhet tu ndalohet rreptësisht jo vetëm udhëheqja por edhe qasja e thjeshtë në bisedime e politik-bërësve të dyshimtë si kuislingu Hashim Thaçi, i cili me politikën e tij e solli vendin në këtë pozitë kaq denigruese dhe assesi të mos i lejohet edhe një favor tjetër Hashim Thaçit që të vazhdojë aty ku e ka lënë projektin e nisur kobzi me Aleksandër Vuçiqin, Edvin Kristaq Ramën dhe grupin e spiunëve të dëshmuar të UDB-së dhe atyre rusofil, për ndarjen e Kosovës”, përfundoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)