Kërkohet shpërthim popullor në Kosovë, ky është alarmi i frikshëm

  • 16 August 2019 - 17:29
Kërkohet shpërthim popullor në Kosovë, ky është alarmi i frikshëm

“Pa krijimin e një alternative të re e të mirëfilltë politike, do të jetë gjithnjë e më e vështirë të gjenden njerëz që me protesta të përmbysin këta pushtetar dhe këtë klasë politike që vetëm të këqija i sollën Kosovës dhe qytetarëve të saj”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Edhe pse të gjitha partitë politike pretendente për të fituar pushtet apo ulëse në parlamentin e ardhshëm të Kosovës, zotohen e betohet se do të bëjnë ndërtimin e shtetit ligjor, do ta ç’kapin shtetin nga krimi e korrupsioni, nga klientelizmi dhe nepotizmi, tek disa nga analistë politikë është krijuar bindja se ç’kapja e shtetit nuk mundë të ndodhë pa një shpërthim të madh popullor, e ky shpërthim popullor po bëhet edhe më i pamundur nga ikja masive e qytetarëve jashtë vendit.

Sipas analistëve, qytetarëve po u duket më e lehtë të largohen nga vendi se sa të ballafaqohen me këtë klasë politike në pushtet, prandaj në vijim do të jetë akoma më e vështirë të gjenden njerëz që me protesta të përmbysin këta pushtetarë që vetëm të këqija i sollën Kosovës.

Kështu mendon edhe analisti politik, Florim Zeqa, sipas të cilit, sado që zgjidhjen e fundit për ç’kapjen e shtetit, herët apo vonë e sheh vetëm me protesta.

Image
Florim Zeqa

“Shikuar në aspektin praktik, të gjitha partitë politike po e dëshmojnë se asnjëra prej tyre nuk janë shtet ndërtuese. Një subjekt politik serioz që synim ka ndryshimet pozitive në vend, aktivitetin e vet politik e përqendron në lidhjen e koalicionit me qytetarët e vendit e jo me subjektet politike që deri dje ishin pjesë e kapjes së shtetit. Të gjitha partitë politike janë bërë COPY-PASTE të njëjta dhe të inkriminuara thellë me nëntokën kriminale që po e udhëheq këtë shtet. Duke qenë se është kështu, populli nuk ka as për kë të votoj, pasi që partitë politike dallojnë vetëm në emra, por jo edhe në përmbajtje për shkak të lëvizjes së politikanëve nga njëra parti në tjetrën”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Zeqa, me këtë mënyrë të rrotacionit politik, gjegjësisht të bërjes bashkë në pushtet të kundërshtarëve politik, jo vetëm që asnjëherë nuk do të vjen te ç’kapja e shtetit, por do të betonizohet akoma më tepër korrupsioni dhe krimi i organizuar. 

“Përgjatë këtyre 20 viteve është dëshmuar se partitë politike derisa janë të ndara në pozitë dhe opozitë e shajnë dhe akuzojnë njëra-tjetrën, ndërsa në momentin e bërjes bashkë në pushtet i thurin lavde njëra-tjetrës, duke mos u ditur më cili është kapës e cili është ç’kapës i shtetit", ka thënë analisti Zeqa për Kosova Sot Online.

Sipas tij, përderisa në secilin shtet demokratik, opozita e mbron shtetin dhe mbanë balancin politik duke korrektuar gabimet e partive në pushtet, tek ne opozita e ka rrezikuar shtetin për marrjen e pushtetit.

“Në këtë situatë, ç’kapja e shtetit nuk mund të ndodhë pa një shpërthim të madh popullor, ndërsa ky shpërthim popullor po bëhet gjithnjë e më i pamundur nga ikja masive e qytetarëve.Të irrituar dhe zhgënjyer nga të gjitha partitë politike, njerëzve po u duket më e lehtë të largohen nga vendi se sa të ballafaqohen me këtë klasë politike të papërgjegjshme në pushtet dhe opozitë”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sado e vonuar sipas analistit Zeqa, vetëm një alternativë e re politike e pa sprovuar në pushtet mundë të bëjë kthesa dhe të ç’kapë shtetin. “Pa krijimin e një alternative të re e të mirëfilltë politike, do të jetë gjithnjë e më e vështirë të gjenden njerëz që me protesta të përmbysin këta pushtetar dhe këtë klasë politike që vetëm të këqija i sollën Kosovës dhe qytetarëve të saj. Nismat e fundit politike nuk paraqesin asnjë lloj shprese për ndryshim, shkaku i mungesës së vizionit dhe mos transparencës së veprimeve të tyre”, përfundoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)