Shpenzon 10 mijë euro në barna sepse QKUK’ja nuk ka ilaçe esenciale

  • 18 gusht 2019 - 23:06
Shpenzon 10 mijë euro në barna sepse QKUK’ja nuk ka ilaçe esenciale

Pertuzumab është njëra prej target terapive, e cila përdoret tek kanceri i gjirit kur sëmundja ka avancuar.

Por, kjo terapi, e cila kap shifrën e mijëra eurove, nuk gjendet në listën esenciale të barnave të QKUK-së.

Një paciente, e cila ka dashur të mbes anonime, ka dërguar disa prej faturave të kësaj terapie, të cilat është dashur t’i blejë vetë.

Vetëm një shishe e këtij ilaçi, i cili jepet në formë intravenoze dhe që përmban 420 miligramë, për t’u blerë në treg kushton mbi 1,500 euro.

Që nga nisja e kësaj terapie, kjo paciente, deri më tani, ka harxhuar mbi 10,000 mijë euro për ta blerë atë, derisa sipas rekomandimeve të mjekëve ajo këtë ilaç duhet ta përdorë gjatë gjithë jetës.

Në Kosovë, çdo vit, 20-30 grave me forma të avancuara të sëmundjeve të kancerit, u rekomandohet ky ilaç intravenoz.

Derisa ilaçi vazhdon të mos jetë pjesë e listës esenciale të barnave, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, thotë se po bëjnë përpjekje maksimale që në mesin e shumë barnave të tjera, të futet edhe ky ilaç, raporton ktv.

Në Ministri të Shëndetësisë thonë se kanë pranuar kërkesën e Klinikës së Onkologjisë, derisa nuk konfirmojnë nëse ky bar do të futet në listën esenciale të barnave.

“Komiteti do të vendosë në fund, pas mbylljes së fazës së konsultimeve publike për listën, nëse produkti do të jetë pjesë e listës bazike apo komplementare brenda Listës së Re të Barnave Esenciale”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas disa përllogaritjeve, në rast se Ministria e Shëndetësisë vendos ta fusë këtë bari në Listën Esenciale të Barnave, atëherë buxhetit të Shëndetësisë kjo do t’i kushtojë rreth 600 mijë euro.


(Kosova Sot Online)