Demi: Limaj e PDK-ja e futën 'Eurolabin', LDK-ja s’pati guxim ta ndalojë, e AAK-ja ia vazhdoi monopolin

  • 20 August 2019 - 23:26
Demi: Limaj e PDK-ja e futën 'Eurolabin', LDK-ja s’pati guxim ta ndalojë, e AAK-ja ia vazhdoi monopolin

Agron Demi nga Instituti GAP ka fajësuar Fatmir Limajn dhe PDK-në për monopolin që ia kanë krijuar kompanisë së homologimit “Eurolab”.

Përmes një statusi në Facebook, Demi thotë se Limaj dhe PDK-ja e kanë futur në treg këtë kompani e cila fillimisht nuk kishe asnjë as pajisje, as hapësirë pune e as punëtorë. Shton se LDK-ja nuk pati guxim që t’ia prish monopolin, kurse AAK-ja, thotë ai, “ia mundësoi të vazhdojë monopolin edhe pas përfundimit të kontratës”.

Këtë, Demi e quan “haraç i institucionalizuar”.

“Kur më 2008 Fatmir Limaj e ka nënshkru marrëveshjen e homologimit, kompania ‘Eurolabi’ nuk ka pas as pajisje, as hapësirë pune e as punëtorë. Kësaj kompanie, shteti i ka dhanë kohë një vit që t’i sigurojë pajisjet, kurse menjëherë i ka garantuar monopol 10 vite. Çdo individ do të mund të bëhej milioner nëse hyn në marrëveshje të tilla me shtetin”, ka shkruar Demi, raporton Koha.net.

Image

Për këto 10 vite pune, Demi thotë se shteti i ka dhanë punë shtesë kompanisë, duke i siguruar miliona euro të hyra.

“PDK dhe Fatmir Limaj e kanë fut në treg, LDK nuk ka pas guxim me ndalu, e AAK ia ka mundësuar ta vazhdojë monopolin edhe pas përfundimit të kontratës”.

“Kësaj i thonë haraç i institucionalizuar. Po tash jemi pjek politikisht dhe haraçi nuk është problem ma. Sepse në këtë vend pjekuria politike funksionon me logjikën e ‘Benjamin Button’: sa ma gjatë në politikë, aq ma pak parime”, ka përfunduar Agron Demi.

Ai ka bashkëngjitur edhe dokumentin të cilit i është referuar.

Koha.net raportoi sot se Ministria e Infrastrukturës e udhëhequr nga Pal Lekaj ka marrë vendim me 17 janar të këtij viti që të gjitha veturat të cilat aksidentohen nuk mund të dalin në qarkullim pa kryer kontrollin në Qendrën e Automjeteve të Kosovës “Eurolab” që është pronë e familjes Devolli.

(Kosova Sot Online)