Lufta me flakët, u rrezikuan banesa, biznese dhe varrezat në Shëngjin. Ja situata këtë mëngjes

  • 24 August 2019 - 09:24
Lufta me flakët, u rrezikuan banesa, biznese dhe varrezat në Shëngjin. Ja situata këtë mëngjes

Vihet nen kontroll zjarri ne malin e Shengjinit, por ende flaket nuk jane shuar plotesisht. Reshjet e shiut te nje nate me pare kane ndikuar pozitivisht. Aktualisht po punojne ushtria per shuarjen e plote te vatrave te zjarrit qe vijojne.

Kujtojme se dje zona turistike e Shëngjinit u mbulua nga një re e dendur tymi. Një zjarr i përmasave të mëdha është shfaqur në malin e Shëngjinit në afërsi të Portit.

Flakët janë parë rreth orës 22:00 të mbrëmjes së të enjtes dhe në një kohë të shpejtë, janë përhapur në një sipërfaqe të konsiderueshme. Banorët e alarmuar kanë njoftuar menjëherë autoritet në lidhje me zjarrin, ndërsa ka shkaktuar frikë dhe panik tek ata. Po nga ana tjetër, gjatë ditës së djeshme janë dëgjuar edhe shpërthime, pasi flakët janë afruar pranë një reparti ushtarak.

“Ka qenë ora 22:00 e mbrëmjes së kaluar kur kam vënë re flakë zjarri në mal. E pashë që po përhapeshin, pasi frynte erë dhe kam njoftuar menjëherë Policinë. Ata, së bashku me zjarrfikësit, erdhën në kohë, por ishte e pamundur për të ndërhyrë për shkak të terrenit, pasi makina nuk ngjitej atje ku kishte rënë zjarri. Kjo situatë po përsëritet çdo vit dhe ne ndihemi mjaft të frikësuar, pasi zjarri u është afruar banesave”, thotë një banore e Shëngjinit.

LUFTA ME FLAKËT

Për shuarjen e flakëve në Shëngjin u angazhuan zjarrfikësit e Lezhës, por dhe shërbimi pyjor. Ndërhyrja me mjete rrethanore ishte e kotë, pasi zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të erës së fortë që kishte në zonë. Duke parë situatën që po përkeqësohej, paraditen e së premtes, autoritet lokale kërkuan mbështetjen e forcave të Ushtrisë dhe zjarrfikësve të rretheve të tjera. Ushtria dhe punonjësit e shërbimit pyjor po punojnë prej disa orësh me mjete rrethanore për shuarjen e flakëve, që në disa raste iu afruan bizneseve dhe banesave, ndërsa në rrezik janë dhe varrezat publike të Shëngjinit. Ndërkohë, në terren ndodhen 10 makina zjarrfikëse të ardhura nga Tirana, Kurbini, Mati dhe Mirdita.

Ato janë vendosur pranë banesave dhe bizneseve, duke qëndruar në gatishmëri për t’i mbrojtur nga flakët që po i afrohen gjithnjë e më shumë zonës së banuar. Në krye të operacionit për shuarjen e flakëve qëndron prej disa orësh prefekti i Lezhës, Gjok Jaku. Ai thotë se pavarësisht terrenit dhe vështirësive, është arritur që zjarri të mbahet nën kontroll. “Jemi këtu prej gati 24- orësh. Është bërë maksimumi i mundshëm për ta mbajtur nën kontroll zjarrin. Gjatë ditës, kemi pasur forca të shtuara dhe shpresoj ta mbajmë nën kontroll situatën, që zjarri të mos shkaktojë dëme në pronën e qytetareve”, thotë Jaku.

PUSHUESIT

Zjarri i rënë në malin e Shëngjinit ka larguar shumë pushues nga kjo zonë turistike. Nga frika, ata kanë ndërprerë pushimet dhe janë larguar për në banesat e tyre. “Unë jam nga Kosova. Kam ardhur këtu në Shëngjin prej 5 ditësh dhe kisha llogaritur të qëndroja 10 ditë. Por, duke parë që zjarri po përparon drejt zonës së banuar, nga frika vendosa që të largohem së bashku me familjen”, thotë një pushuese nga Kosova. Zjarri në malin e Shëngjinit vijon me intensitet të lartë, ndërsa deri më tani janë djegur dhjetëra hektarë pyje me pisha dhe shkurre.

Dyshimet janë për zjarrvënie të qëllimshme, por fillimisht i gjithë operacioni është përqendruar për shuarjen e flakëve dhe më pas do të nisin menjëherë hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit. Ky është viti i katërt radhazi që mali i Shëngjinit përfshihet nga flakët e zjarrit gjatë muajit gusht dhe dinamika ka qenë pothuajse e njëjtë, ndërsa kjo situatë po sjell ndikim mjaft negativ për turizmin në këtë zonë turistike.

Image
Image

(Kosova Sot Online)