Bashkatdhetarëve nuk po u mjafton pritja e gjatë në Merdare, tash kanë edhe një hall tjetër

  • 26 August 2019 - 09:14
Bashkatdhetarëve nuk po u mjafton pritja e gjatë në Merdare, tash kanë edhe një hall tjetër

Bashkatdhetarët në Kosovë janë në pritje të gjata për më shumë se tre orë në pikën kufitare me Serbinë. E sikur të mos mjaftonte kjo, shqiptarët që kanë marrë rrugën për perëndim nuk po kanë as tualete në pikat kufitare, e madje ky problem është që disa muaj.

Pritja e gjatë ka bërë që në redaksinë e medias të vijnë telefonata të shumta të bashkatdhetarëve të cilët ankohen se të paktën në anën e territorit të Kosovës nuk po gjendet një zgjidhje për këtë problem.

E për këtë, bashkatdhetari që jeton në perëndim tha se për ta është i papranueshëm fakti që tualetet janë të mbyllura për disa muaj. E autoritetet kosovare janë arsyetuar se nuk janë të pastra ose është bllokuar ndonjë kanal.

“Vetëm në territorin e Kosovës nuk na i hapin tualetet. Janë të mbyllura” tha ai duke shtuar se “Janë gënjeshtra se gjoja është e papastër ose bllokuar ndonjë kanal”.

E këtë ankesë, ata po e bëjnë për shkak se Kosova është vendi i tyre, e madje janë edhe në gjendje të investojnë nga paratë e xhepit të tyre për ta bërë një zgjidhje.

“Kosova është vendi jonë. Jemi edhe në gjendje vetë të paguajmë nëse është nevoja për ndonjë ndërtesë (për ta zgjidhur problemin e tualeteve në kufi” tha bashkatdhetari që jeton në shtetet perëndimore.

Pritjet e gjata po shkaktohen nga pala serbe, por pala kosovare siç duket nuk ofron të paktën një ndihmë për nevojat elementare njerëzore. 

(Kosova Sot Online)