Kontaminimi i ujit, Komuna e Kamenicës do të bëjë hetime

  • 26 August 2019 - 13:24
Kontaminimi i ujit, Komuna e Kamenicës do të bëjë hetime

Pas shqetësimeve nga ana e qytetarëve të Kamenicës për aromën e pakëndshme të ujit, kryetari Qëndron Kastrati ka kontaktuar me KRU “Hidromorava” për të bërë analizat e ujit.

Njëri prej puseve që furnizon një pjesë të qytetit, ka dalë të jetë ujë i kontaminuar dhe fatmirësisht Komuna e Kamenicës ka ndërhyrë me kohë, ku pas kësaj është ndërprerë furnizimi me ujë në të gjitha pjesët e qytetit që furnizohen nga pusi në fjalë, njofton Komuna e Kamenicës përmes një deklarate për media.

Pas ndërprerjes së ujit, të gjithë qytetarët që kanë pasur nevojë urgjente për ujë, janë furnizuar me cisternë nga kompania e ujësjellësit, thuhet më tej në deklaratë. Nga dyshimet e para se përpos motit të thatë, mund të ketë edhe shkaktarë të tjerë, andaj Komuna e Kamenicës paralajmëron hetime të hollësishme për të zbuluar të gjitha shkaqet për të parandaluar përsëritjen e problemit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publikë në Kosovë, KRU “Hidromorava” e inspektori sanitar nga Komuna e Kamenicës, do të jenë në terren edhe gjatë ditës së sotme për të vazhduar me analiza të ujërave edhe nga puset e tjera.

“Me këtë rast lusim qytetarët për durim dhe mirëkuptim deri në zgjidhjen finale të problemit”, përfundon deklarata.

(Kosova Sot Online)