Polonia pret që Gjermania t’ia paguaj dëmshpërblimin e Luftës së Dytë Botërore

  • 31 August 2019 - 22:30
Polonia pret që Gjermania t’ia paguaj dëmshpërblimin e Luftës së Dytë Botërore

Polonia po përpiqet të farkëtojë marrëdhënie sa më të ngushta me Amerikën, por nuk tregon të njëjtin përkushtim edhe me aleatë në Evropë.

Pak përpara përkujtimit të 80-vjetorit të sulmit të Gjermanisë naziste ndaj Polonisë, presidenti polak, Andrzej Duda përsërit kërkesat për reparacione.

“Lufta i shkaktoi dëme të jashtëzakonshme vendit tonë”, deklaroi ai.

Duda tha për “Bild” se reparacionet e luftës janë një çështje përgjegjësie dhe morali.

“Gati 6 milionë qytetarë polakë janë vrarë, qytetet tona u rrënuan, kryeqyteti ynë u shkatërrua tërësisht”, është shprehur kreu i shtetit polak për gazetën gjermane.

Më tej shtoi se “Shumica ishin civilë të pafajshëm, të vrarë në bastisje, aksione të ndryshme, në geto dhe kampe përqëndrimi. Ne nuk e harrojmë këtë: Gati gjysma e viktimave polake, tre milionë vetë ishin hebrenj, të shuar brutalisht nga ideja e çmendur racore e Hitlerit.”

Nga ekspertizat e kryera me porosinë e ish-presidentit, Lech Kaczynski, sipas Dudas, duket qartë, se këto dëme nuk janë dëmshpërblyer kurrë. Një komision parlamentar në Varshavë do të paraqesë shpejt një faturë në raportin përfundimtar.

“Jam i sigurt, ne do ta gjejmë një zgjidhje”, dhe në të njëjtën kohë, kreu i shtetit polak kujtoi marrëdhënien e mirë mes Gjermanisë dhe Polonisë, duke theksuar se të dy vendet janë pajtuar, në të gjitha drejtimet.

(Kosova Sot Online)