SHBA-të reagojnë fuqishëm: Armët nuk kanë vend në Kuvend

  • 08 October 2015 - 15:11
SHBA-të reagojnë fuqishëm: Armët nuk kanë vend në Kuvend

Ambasada Amerikane në Kosovë ka reaguar ndaj gjendjes së krijuar sot në Kuvendin e Kosovës, ku opozita hodhi gaz lotësjellës në Kuvendin e Kosovës. 

Kjo është komunikata e plotë e Ambasadës Amerikane në Kosovë:

Ambasada e SHBA-ve dënon dhunën në Kuvend

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dënon dhunën e sotme në Kuvendin e Kosovës. Armët nuk kanë vend në parlamente. Sjellja e tmerrshme e anëtarëve të caktuar të Kuvendit nga radhët e opozitës - e cila çoi te kërkimi i kujdesit mjekësor për anëtarët tjerë të Kuvendit si dhe për vëzhguesit ndërkombëtarë, përfshirë personelin nga Ambasada e Sh.B.A.-ve - bën tallje me njërën nga institucionet më të rëndësishme demokratike të Kosovës.

Dhuna e sotme, së bashku me atë të tri javëve paraprake, i ka pamundësuar Kuvendit që të plotësojë mandatin e vet në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Kjo nuk është demokraci. Kjo është pengim i procesit demokratik. Sikurse që kemi bërë edhe në të kaluarën, Shtetet e Bashkuara fuqimisht kërkon nga opozita që të heq dorë nga përdorimi i dhunës si taktikë politike, dhe që të angazhohet konstruktivisht në punën e rëndësishme të Kuvendit për të avancuar interesat e popullit të Kosovës.

(Kosova Sot)