Vjen goditja e rëndë për 5 kandidatët për kryeministër të Kosovës

  • 03 September 2019 - 07:16
Vjen goditja e rëndë për 5 kandidatët për kryeministër të Kosovës

Vjosa Osmani, Albin Kurti, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, synojnë postin e kryeministrit të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit...

Analistët politik vlerësojnë se të gjithë të nominuarit për kryeministra potencial, janë duke manipuluar skajshmërisht me qytetarin, duke u zotuar falco për qeverisje më të mirë e zhvillim ekonomik, pa e zbardhur dhe bërë që tani transparente edhe listën e ekspertëve që do ti angazhojnë në ekzekutiv, pra ministrat e ardhshëm në kabinetin e synuar qeveritar.

Image

Analistët theksojnë se për ta bindur qytetarin, për të ju besuar këtyre kandidatëve në zotimet, qytetarët duhet ti shohin edhe listat se çfarë do ofrojnë e pastaj ata të kërkojnë besimin.

Sipas analistit Blerim Burjani, po ta kishin seriozisht bartësit e listës, kandidatët për kryeministra, qëllimin për qeverisje të mirë, secili prej tyre do të duhej prezantuar votuesit edhe emrat potencial të kabinetit të mundshëm qeveritar. Sipas tij, vetëm kështu mundë të kërkojnë votë për kontratë me qytetarin sepse besimi nuk fitohet lider që mbase edhe aksidentalisht kanë hyr në betejën politike e sidomos jo nga të tillët që janë pjesë e krimit të organizuar.

“E tëra është si zakonisht improvizim, kryeministrat e propozuar është gjëja më e pa kuptim dhe më jo serioze, pa e ditur kush çka do të përfaqëson më tutje, por kjo po bëhet vetëm për ti plotësuar dëshira ekstreme të disa njerëzve dhe të individëve problematik brenda subjekteve politike”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Ai ka thënë se një të njëjtin improvizim po e bënë edhe LDK-ja, ngase për gjithçka flet vetëm kandidatja aktuale për kryeministër, e që sipas Burjanit nuk ka asnjë kapacitet e as përvojë politike, as nuk vjen nga fusha e ekonomisë për çka Kosova ka nevojë më së shumti.

“Kosova duhet ta ketë në krye të shtetit një kryeministër që merret ekskluzivisht me zhvillim ekonomik, me një program ekonomik të detajuar me rezultate të matshme për qytetarët e jo kryeministër veç hajt se është në pyetje blerja e paqes dhe zbutje e problemeve brenda partiake”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Ndryshe Burjani konsideron se që tani po shihet tërthorazi edhe ndikimi ndërkombëtar tek propozimi i kandidatëve për kryeministër dhe i caktimit të kornizave për koalicionin pas zgjedhor e që përsëri mundë të ribashkohen LDK dhe PDK.

“Me propozimin e bërë të kandidates së LDK-së për këtë post ia ka hap rrugën edhe Kadri Veselit që të bëhet kryeministër, pra koalicioni i ardhshëm duhet të ketë gjithsesi 80 vota në kuvend për ta kaluar edhe marrëveshjen me Serbinë. Kjo është kërkesë ndërkombëtare”, theksoi Burjani për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij këto zgjedhje që mbahen në javën e parë të tetorit, janë zgjedhje të zorit të imponuara për qytetarët nga shkaku i dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit, prandaj edhe kandidatët për kryeministër po paraqiten në publik pa program dhe pa e bërë transparente listën e kandidatëve potencial për ministra në kabinetin e ardhshëm qeveritar.

“këtyre vetëm duhet të ju shkruhet nga dikush një program qeveritar sa për sy e faqe, e asgjë më shumë, dhe këta e lexojnë atë edhe pse realisht për mos zbatimin e tij s’ka kurrfarë përgjegjësie. Prandaj Kosovën e ka kapluar anarkia e madhe. Edhe berberët, edhe modelistet, edhe stilistët, karateistët, boksierët e të gjithë të lidhurit me klientelat politike duan të hyjnë në politikë vetëm për të përfituar para nga buxheti i shtetit, për të arritur qëllime personale dhe për të punësuar familjarët e tyre,”theksoi Burjani për “Kosova Sot Online”.

Prandaj sipas Burjanit është momenti i duhur që populli të vetëdijesohet dhe të mos vazhdoj që të ju jep shansin njerëzve të njëjtë që mashtruan për 20 vjet rresht, duke instaluar në institucione njerëz të kategorive që pastaj të bëhen brenda natës edhe biznesmenë.

(Kosova Sot Online)