Vjen paralajmërimi i rëndë: Ja Qeveria e re që do ta copëtojë Kosovën

  • 03 September 2019 - 20:28
Vjen paralajmërimi i rëndë: Ja Qeveria e re që do ta copëtojë Kosovën

Zgjedhjet e 6 tetorit nuk pritet të sjellin asnjë ndryshim. Analistët paralajmërojnë se qeveria e re do të jetë qeveri e pazareve të presidentit aktual, Hashim Thaçit...

Analistët politikë druajnë se pavarësisht zotimit të partive politike që po bëjnë në këtë fushatë, se do të ndërtojnë një qeveri e cila për prioritet do të ketë krejtësisht mbrojtjen e interesit nacional të shtetit të Kosovës dhe zhvillimin, pas përfundimit të zgjedhjeve dhe kërkimit të formulës së re qeverisëse, edhe koalicioni i radhës do të dizajnohet nga nëntoka kriminale dhe para politika, pjesë e se cilës janë edhe figura të larta politike.

Fakti që në fazën e tanishme nuk u ndërtuan koalicione të fuqishme parazgjedhore, analistët kanë krijuar bindjen se edhe qeveria e pas zgjedhjeve të kësaj vjeshte, do të jetë qeveri që do të bëj pazare për interesa të Hashim Thaçit dhe klanit të tij.

Image
Florim Zeqa

Këtë shqetësim e ndanë edhe analisti, Florim Zeqa i cili edhe qeverinë e re e sheh qeveri të shantazhuar për pazare politike të cilat i ka filluar kaherë Hashim Thaçi.

“Përderisa zgjedhjet e parakohshme të vitit 2017 ishin organizuar për ta nxjerrë një qeveri dhe një përbërje të shumicës parlamentare që do ta kalonte Marrëveshjen për Demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi, zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit 2019 do të jenë të dizajnuara për ta krijuar një qeveri dhe një përbërje të shumicës së sigurt parlamentare që është e gatshme ta votojë edhe Marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi, duke përfshirë edhe pazaret e territoreve”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas Zeqës, edhe diplomacia ndërkombëtare së fundi është fokusuar shumë në çuarjen përpara të kësaj agjende. 

“Në anën tjetër edhe bashkësia ndërkombëtare ka intensifikuar përgatitjet për raundin final të bisedimeve Kosovë-Serbi. Në fokus të këtyre zhvillimeve është takimi i njeriut të Merkelit, i deputetit gjerman i koalicionit CDU-CSU Peter Bajer me Vuçiqin në Beograd, ku për temë bisedimesh kishin finalen e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Ndërkohë së fundi, edhe Mike Pompeo e ka emëruar diplomatin amerikan Matthev Palmer, si përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, e që në fokus po ashtu do të jenë bisedimet Prishtinë-Beograd”, u shpreh Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Prandaj sipas tij, do të jenë të kota deklarimet e tanishme të partive politike për apo kundër një formacioni të koalicionit pas zgjedhor ngase asgjë nuk mundë të bëhet pa e marr “bekimin” ndërkombëtar. 

“Në përputhje të plotë me angazhimet e ndërkombëtarëve do të dizajnohet edhe koalicioni i ri pas zgjedhor i zgjedhjeve të kësaj vjeshte, për ta kaluar pa asnjë pengesë marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi, nga e cila marrëveshje shteti i Kosovës do të pësojë tkurrje të madhe territoriale dhe humbje të pasurive vitale në veri të vendit. Koalicioni i ri pas zgjedhor, gjegjësisht legjislatura e kuvendit e përbërë nga klanorët e liderëve partiakë, nëntokës kriminale dhe para politikës, pjesë e së cilës janë edhe figura të larta politike do ta miratojnë në Kuvend copëtimin e Kosovës. Pra qeveria e pas zgjedhjeve realisht do të jetë qeveri që do të bëj pazare për interesa të Hashim Thaçit dhe klanit të tij”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Meqë do të jetë pikërisht kështu, Zeqa thotë se votuesit kosovarë me 6 tetor, me ose pa vetëdijen e tyre do të votojnë për parlamentin dhe qeverinë e pazareve të mëdha politike në dëm të Republikës së Kosovës.

“Përtej kësaj, votuesit kosovarë me 6 tetor do të legjitimojnë legjislaturën e shtatë të Kuvendit, përsëri me figura të ricikluara politike, të cilat do të punojnë vetëm për interesa personale dhe klanore”, përfundoi analisti, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)