Dështon seanca gjyqësore për rastin “Toka”

  • 05 September 2019 - 10:19
Dështon seanca gjyqësore për rastin “Toka”

Seanca gjyqësore për rastin “Toka” ku protagonist është ish-deputeti i PDK’së, Azem Syla, ka dështuar që të mbahet sërish.

Beqir Kalludra si kryetar i trupit gjykues  ka thënë se nuk plotësohen kushtet ligjore për mbajtje të seancës për rastin në fjalë.

Ai ka treguar se mbrojtësi i një prej të akuzuarve, Gazmend Gashi, gjendet i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Pasi që mbrojtja në këtë fazë është obligative dhe koha ka qenë e shkurtër për zëvendësimin e tij, seanca nuk mbahet”, ka thënë Kalludra.

Seanca e radhës nuk ka mundësi të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë por në Gjykatën e Gjilanit. Kjo për shkak se në këtë seancë është e planifikuar që të intervistohet një dëshmitar përmes video-linkut.

Në objektin milionësh të Pallatit të Drejtësisë sipas Kalludres është vetëm një sallë që mund të bëhet intervistimi i dëshmitarit përmes videolinkut por ajo sallë sipas tij është shumë e vogël dhe nuk ka vend për të gjithë të akuzuarit.

Përveç Sylës në këtë rast akuzohen edhe Shaban Syla, Ilaz Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Edvard Gashi, Sabedin Haxhiu, Ramadan Uka, Avdyrrhaman Brajshori, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

(Kosova Sot Online)