Nesër bëhet varrimi i Mefail Rafunës

  • 06 September 2019 - 14:04
Nesër bëhet varrimi i Mefail Rafunës

Mefail Rafuna, i cili ndërroi jetë dje pas një përleshje me armë zjarri në rrugën “Muharrem Fejza” në Lagjen e Spitalit, do të varroset nesër në ora 13:00 në varrezat e qytetit në Prishtinë. Aty u plagosën pesë persona, dy prej të cilëve vdiqën pasi u hospitalizuan, shkruan media.

Lajmin për varrimin e tij e kanë bërë të ditur familjarë të tij në rrjete sociale.

“Ju njoftojme se varrimi i më të dashurit tonë, axhës, vëllait Mefail Rafunës, bëhet nesër (e shtunë) në orën 13, në varrezat e qytetit në Prishtinë”, ka shkruat Kastriot Rafuna në Facebook.

Media raportoi më herët se nesër do të varroset edhe Bashkim Mehmeti, i cili ndërroi jetë si pasojë e plagëve që mori nga plumbat që dyshohet se u shkrepën nga anëtarët e familjes Rafuna. 

Ai do të varroset nëse në ora 12:00, derisa trupi i tij tashmë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Detaje se si filloi e gjithë përleshja mes anëtarëve të familjes Mehmeti e Rafuna, ka dhënë sot Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Sipas Prokurorisë, gjithçka kishte filluar me një përleshje fizike, për të përfunduar më pas me të shtëna armësh.

“Në njërën anë personat me inicialet F.R., dhe M.R., ndërsa në anën tjetër të dyshuarit me inicialet B.M., N.M., dhe M.M., kanë shtënë me armë zjarri. Ndërkaq, si pasojë e të shtënave të ndërsjella, lëndime dhe plagë të rënda në vendin e ngjarjes kanë pësuar të dyshuarit me inicialet F.R., M.R., B.M., dhe kalimtari i rastit, tani i dëmtuari  G.R”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria ka bërë të ditur se të lënduarit ishin dërguar menjëherë për trajtim në QKUK, mirëpo si pasojë e lëndimeve dhe plagëve të marra, kanë ndërruar jetë personat me inicialet B.M. dhe M.R.

Ndërkohë, me urdhër të prokurorit kujdestar, janë ndaluar për 48 orë, personat me inicialet N.M., M.M., dhe F.R., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 të KPRK-së.

“Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, dhe do të urdhërohet që të bëhet obduksioni, me qëllim të përcaktimit të shkaqeve të vdekjes së tyre”, thuhet në komunikatë.

Më herët Bajram Krasniqi, zyrtar për media në Policinë e Kosovës, ka konfirmuar se gjatë të shtënave me armë zjarri në lagjen “Mati 1”, një zyrtar policor ka intervenuar në arrestimin e njërit nga të dyshuarit që ka gjuajtur me armë.

Sipas Krasniqit, nuk dihet nëse i njëjti ka gjuajtur edhe me armë.

“Ka qenë kalimtar rasti, jashtë detyrës. Si kalimtar rasti ka hasur në ngjarje dhe ka intervenuar dhe njëri nga të dyshuarit, i cili ka përdorur armën e shkurtër, është arrestuar nga polici, i cili ka qenë kalimtar rasti. Nuk dihet ende nëse i njëjti ka përdorur armën”, ka thënë Krasniqi.

(Kosova Sot Online)