Zgjedhjet e 6 tetorit, ja parashikimi i tmerrshëm për PDK-në

  • 07 September 2019 - 07:34
Zgjedhjet e 6 tetorit, ja parashikimi i tmerrshëm për PDK-në

PDK-ja është subjekt i kompromentuar, problematik dhe përgjegjësi kryesor për gjendjen aktuale në Kosovë...

Analistët politikë të cilët e kanë përcjellë në vazhdimësi zhvillimin e politikës në këto dy dekada të fundit, dhe mënyrën e qeverisjes së vendit, po vlerësojnë se po dëshmohet që subjekti politik më përgjegjës për degradimin dhe shkatërrimin e vendit është PDK-ja.

Image
Blerim Burjani

Kështu mendon edhe analisti dhe eksperti i fushës elektorale, Blerim Burjani.

Sipas tij, duke humbë besimin skajshmërisht te qytetarët dhe ish partnerët politikë me të cilët ka bashkëqeverisur në disa mandate të kaluara, tani PDK-ja është defaktorizuar aq shumë, sa që po izolohet nga të gjitha partitë politike që nuk duan të bashkëpunojnë me të.

Prandaj, sipas Burjanit për të shpëtuar nga rreziku i tkurrjes së madhe, kjo parti politike sikur po shndërrohet në një shportë mbledhëse të mbetjeve të dështuara të ish partive minore, e të cilat ishin të kontrabanduara në legjislaturën e kaluar të Kuvendit, duke u futur nën sqetullën e partive me të mëdha parlamentare.

Burjani rikujton se si së fundi Partia Demokratike e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje koalicioni me Lëvizjen për Bashkim, kurse tani po synon ta merr nën sqetull edhe ish deputeten Mimoza Kusari, kryetare e Alternativës, e cila u fut në Kuvend vetëm përmes ombrellës së LDK-së.

Pra sipas Burjanit, partitë e vogla po synojnë që vetëm të hyjnë disi në kuvend, dhe më pastaj të bëhen pazare me votat e deputetëve që arrijnë t’i fitojnë.

Burjani thotë se një strategji të tillë e ka synimin edhe Shpend Ahmeti me PSD-në e tij, pasi që përsëri po pritet që PSD-ja do të jetë ajo e cila do të bëjë pazaret e tmerrshme me votën e tyre, në shërbim të PANI-stave apo formacioni tjetër qeverisës.

“PDK është subjekt i kompromentuar, problematik dhe përgjegjësi kryesor për gjendjen aktual që mbretëron prandaj këtë herë gjasat janë të mëdha që ky subjekt politik të mbetet në opozitë. Mirëpo edhe në këtë rast, edhe nëse PDK mbetet në opozitë me ndonjë subjekt tjetër të vogël politik që mundë ti bashkëngjitet, më e keqja është se Kosova nuk ka alternativ të re politike dhe kjo është akoma shumë e dhimbshme. Përderisa në këto rrethana vetëm LDK-ja po mbetet si e vetmja alternativë më e besueshme dhe më serioze, hendikep qëndron në atë se pala tjetër, pra VV-ja është subjekt jo serioz dhe një lloj lëvizje anarkiste e tipit socialist”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, është pak për t’i besuar VV-së kur flet për reformat në drejtësi, pasi asnjëra prej tyre nuk mund të bëhet nga ata që deri dje ishin anarkistë,e që e përmendin kotë së koti reformimin e gjyqësorit, e përmendin gjykatën dhe prokurorinë që janë degë e pavarur e pushtetit dhe nuk mundë të reformohen me ndikimin e politikës, por vetëm me lirimin e ndikimit të politikës në këtë sistem.

“Janë të dështuar të gjithë ata që tani po synojnë që përmes “shportës së mbeturinave” të PDK-së të gjejnë sigurojnë një pozitë deputeti në Kuvendin e Kosovës ngase për këto 20 vite po del që PDK-ja është parti politike më e dështuar, më e pa reformuar dhe që po shkon drejtë humbjes së besimit jo vetëm te masa qytetare por edhe te elektorati i vetë aty ku i ka bastionet e dikurshme. Pushtetin e donë të gjithë pavarësisht fatkeqësisë që ka sjellë PDK-ja, e në anën tjetër PDK- po mbetet subjekti më i deformuar dhe i rrezikuar politik të cilit së fundi sikur ju bashkuan disa të ashtuquajtur personalitete e parti minore virtuale politike. Ku subjekt politik i pa reformuar duket sikur ka arritur në kohën për të perënduar, shuar kjo parti politike sepse përfundimisht e ka humbur hapin e vetë me kohën. Të gjithë jemi dëshmitar se si në PDK po shkojnë disa njerëz të kotë që nuk premtojnë asgjë por synojnë arritjen eventuale të ndonjë interesi material personal”, përfundoi Burjani për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)