Paralajmërohen pasoja të rënda për Kosovën, kjo është arsyeja...

  • 10 September 2019 - 14:09
Paralajmërohen pasoja të rënda për Kosovën, kjo është arsyeja...

Kosova do t’i vuaj edhe për një kohë të gjatë pasojat e një diplomacie të dobët që kishte në dy vitet e fundit gjatë udhëheqjes së koalicionit PAN...

Sado që janë të nevojshme zgjedhjet e 6 tetorit të këtij viti, për të pasur pak shpresë në përmirësimin e qeverisjes së mirë në interes të qytetarit të Kosovës dhe ç’kapjes së shtetit nga krimi e korrupsioni, analistët politikë anën tjetër negative të ndikimit të këtyre zgjedhjeve e shohin në aspektin diplomatik, pasi sipas tyre, politika e pa përgjegjshme e ka harruar tërësish qëndrimin konsistent në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të ri të Kosovës, kundër të cilit po vepron tani Serbia.

Madje dështimet në këtë fushë të koalicionit PAN, janë përcjellë edhe gjatë tërë mandatit të brishtë dy vjeçar.

Prandaj sipas analistit politik, Nexhat Haziri, në rrafshin diplomatik, Kosova do ta merr një lëvizje të madhe mbrapa që do ta ketë vështirë për ta kompensuar.

Image
Nexhat Haziri

“Kosova do ti vuaj edhe për një kohë të gjatë pasojat e një diplomacie të dobët që kishte në dy vitet e fundit, dhe jo vetëm fusha e diplomacisë ishte e dobët por edhe liderët institucional të tjerë duke përfshirë Presidentin aktual z. Thaçi, ish-kryeministrin Haradinaj dhe ish-krye parlamentarin Veseli, të cilët në arenën ndërkombëtare nga mediet u fuqishme ndërkombëtare dhe institucionet e sigurisë portretizohen si njerëz që janë kokat e krimit të organizuar në Kosovë, çfarë ka bërë që imazhi i Kosovës në rrafshin ndërkombëtar të jetë tejet i dobët”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Dhe kjo, sipas Hazirit, sikur i ka krijuar një teren të përshtatshëm diplomacisë serbe për të propaganduar kundër Kosovës në të gjitha instancat dhe organizatat ndërkombëtare, ku Kosova kishte synim përfaqësim apo anëtarësim të saj. 

“Natyrisht se tani fokusimi i klasës politike dhe i qeverisë në largim, duke përfshirë edhe presidentin e Thaçi, janë fokusuar në fushatën e zgjedhjeve të 6 tetorit, dhe Kosova realisht ka mbetur pa diplomaci dhe pa aktivitet ndërkombëtar, duke i krijuar serish një avantazh diplomacisë serbe e cila po lobon kundër Kosovës duke arritur që disa shtet ti bindë për tërheqjen e njohjeve ndaj shtetit të Kosovës”, theksoi Haziri për “Kosova Sot Online”.

“Kur të kihet parasysh gjendja e diplomacisë kosovare dhe përfaqësimi i saj diplomatik me njerëz joprofesional, militant partiakë, nepotizëm e të tjerë në ambasada dhe misione të tjera të përfaqësimit të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, anëtarësimi në INTERPOL, do të jetë vetëm një dëshirë që do mbetët e parealizuar”, përfundoi Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)