E zbulon profesori i njohur: Ja kushtet kryesore për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi

  • 14 September 2019 - 15:44
E zbulon profesori i njohur: Ja kushtet kryesore për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi

“Tema e bisedimeve duhet të jetë shteti dhe sovraniteti, njohja reciproke e shtetit sovran Ky moment dhe akt politiko-juridik krijon bazament për bisedime dhe marrëveshje të barabartë dhe reciproke”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Njohësit e zhvillimeve politike në vend, janë duke përcjellë me kujdes angazhimin e faktorit ndërkombëtar, vendeve të BE-së dhe SHBA-ve, që menjëherë pas krijimit të institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve të 6 tetorit, të filloj dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për të arritur marrëveshjen e normalizimit dhe të njohjes reciproke.

Image
Muhamet Kelmendi

Mirëpo analistët politikë, i shohin me dyshim dhe shqetësim disa sinjale që vijnë nga personalitete me ndikim qoftë nga BE-ja apo SHBA-të, e që flasin për një proces bisedimesh me sfida e për kompromise që duhet të ndodhin.

Profesori universitar, Muhamet Kelmendi, duke analizuar dhe duke folur për paralajmërimet që vijnë nga senatori amerikan Ron Johnson, sipas të cilit marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, që pritet të arrihet nga procesi i vazhdimit të dialogut, mundë të mos jetë e pëlqyeshme për të dyja palët, thotë se Kosovës nuk duhet t’i bëhet asnjë lloj trysnie për të bërë as kompromisin më të vogël në këtë proces, madje as për të imponuar çfarëdo formë të marrëveshjes e cila mundë të jetë në kundërshtim me strategjinë e hartuar për bisedime nga shteti i Kosovës, me të cilën garantohet sovraniteti dhe integriteti i plotë i shtetit në kufijtë ekzistues.

Këtë mendim e ka shprehur Kelmendi, duke komentuar senatorin Ron Johnson, i cili nuk e ka fshehur faktin se një dokument për bisedime mundë të ofrohet në formë të rekomandimit dhe vullnetit të mirë, por nuk do të imponohet me detyrim.

"Mendoj se do t'ua ofrojmë, por jo në formë imponimi e trysnie, por vetëm të përkrahjes në përpjekjet e tyre dhe për krijimin e kushteve. Mund të llogarisin në mbështetje të SHBA-ve e të BE-së pasi të arrijnë marrëveshjen,” citohet të ketë deklaruar senatori Ron Johnson për medie.

Sipas Kelmendit, të gjitha këto angazhime flasin se Kosova dhe Serbia po i afrohen dita ditës momentit kur duhet ta rifillojnë dialogun e ndërprerë, por që të dyja vendet duhet të jenë të gatshme për të biseduar vetëm për raporte ndër shtetërore dhe assesi për kompromise.

“Nga situata që po zhvillohet dhe qëndrimet e dala po del se nuk ka rrugë tjetër veç bisedimeve. Po kundër tyre nuk është dhe nuk duhet të jetë Kosova. Bisedimet duhet të ndodhin. Mirëpo, është çështja se për çka duhet të bisedohet? Nuk është temë e bisedimeve dhe nuk duhet të jetë taksa! Kjo për faktin se kjo nuk ka shkaktuar dhunë dhe terror, gjenocide mbi një popull, sikurse shteti serb që ka bërë. Tema e bisedimeve duhet të jetë shteti dhe sovraniteti, njohja reciproke e shtetit sovran Ky moment dhe akt politiko-juridik krijon bazament për bisedime dhe marrëveshje të barabartë dhe reciproke”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kelmendit, temë duhet të jenë edhe krimet dhe dëmet e luftës, por jo diçka tjetër, dhe nëse në cilin do moment të zhvillimit të bisedimeve dalin opsione të tjera, atëherë dialogu mundë të dështoj.

“Vetëm mbi këtë moment mundë të ndërtohen raportet dhe të zgjidhen shumë çështje tjera. Natyrisht së pas njohjes vjen kompensimi i dëmit, përgjegjësia penale për dhunën e bërë, kapja e kriminelëve për përdhunime dhe gjenocid dhe gjetja e të gjithë të zhdukurve. Temat e tilla kanë rëndësi të madhe për të ardhmen e vendit tonë dhe përgjithësi. Pa këto nuk ka paqe dhe as prosperitet Ballkani”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)