Harrohet liberalizimi i vizave për kosovarët

  • 15 September 2019 - 07:33
Harrohet liberalizimi i vizave për kosovarët

Partitë politike në Kosovë, siç thotë populli "në gjuhë" e mbajnë fjalën liberalizim, çështje kjo e cila ndaj qytetarëve të Kosovës mbeti vetëm premtim.

Çuditërisht në këto zgjedhje, më konkretisht në këtë para-fushatë për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, ende nuk kanë folur për liberalizim vizash asnjë parti.

Image
Kushtrim Kadriu

Kjo heshtje për temën, për të cilën në të kaluarën kanë ngritur edhe dolli në zyre, ministra e zëvendësministra, mund të jetë edhe sinjal se liberalizim të vizave nuk do të ketë as në vitin 2020.

Në lidhje me këtë temë për "Kosova Sot Online" ka folur analisti politik, Kushtrim Kadriu, i cili tha se vonesa e liberalizimit të vizave është për shkak të BE-së.

"Mos liberalizimi i vizave më shumë është një kushtëzim nga Bashkimi Evropian në relacion me Kosovën se sa një mos punë e institucioneve", tha Kadriu për "Kosova Sot Online".

Tutje, Kadriu tha se duhet të shihet qartë se si janë shtetet e regjionit.

"Duhet shikuar qartë gjërat, analizuar shtetet e regjionit siç janë: Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria Kosova është një shtet kogja më stabil dhe më i konsoliduar. Këto rrethana kanë bërë që edhe skena politike në vend të mos flas për vizat, sepse janë gënjyer edhe nga zyrtarët e BE-së", ka përfunduar Kadriu.

Ndryshe, në kohë të fundit është dëgjuar se Kosova ka bërë gjithçka për të përmbushur standardet, megjithatë është Bashkimi Evropian ai që duhet të vendos për këtë gjë.

(Kosova Sot Online)