Vjosa Osmani në Istog: Na duhet një qeveri që nuk turpërohet kur del jashtë vendit

  • 16 shtator 2019 - 19:51
Vjosa Osmani në Istog: Na duhet një qeveri që nuk turpërohet kur del jashtë vendit

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa R. Osmani, ka thënë të hënën në Istog, se qeveria e saj do të jetë properëndimore dhe sipas ‘modelit Rugovian’.

“Neve na duhet një Qeveri që kur del jashtë vendit, nuk ka nevojë të mbrohet për skandalet, por të dalë para botës dhe të flasë për rininë tonë të mrekullueshme. Të rinjtë e suksesshëm duhet të jenë nëpër faqet e para të gazetave dhe jo politikanët e korruptuar”, ka thënë Osmani.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, ka prezantuar para qytetarëve të Istogut modelin e saj qeverisës dhe partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, të bazuar në Rugovizën, ku “dominon urtësia dhe këmbëngulësia”. 

“Bill Clinton, Tony Blair, Madeleine Albright dhe çdo politikan i rangut botëror që e ka takuar Presidentin Rugova, më së shumti flasin për urtësinë dhe këmbëngulësinë e tij. Ky është model qeverisës që ka nevojë Kosova dhe këtë model do ta ofrojë LDK-ja me besimin e qytetarëve”, ka shtuar Osmani.

Ajo ka thënë se LDK-ja e dëshmoi se fuqinë dhe përgjegjësinë do t’ua lë rinisë. “Këtë amanet na e la Ibrahim Rugova së bashku me bashkëpunëtorët e tij. E kemi detyrë të shenjtë nga ata që i vunë themelet e këtij shteti dhe nga ata që sakrifikuan edhe jetën që ne ta gëzojmë lirinë. LDK do të krijojë shpresë për këtë vend dhe do ta ndalë zbrazjen e Kosovës nga më të mirët tanë-rinia jonë”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, nuk duhet të iu falim asnjë sekondë atyre që Qeverinë e shohin si vend akomodimi për militantët e tyre dhe për këtë na duhet ndihma e qytetarëve të Istogut dhe gjithë Kosovës, që me votën e lirë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, ta kthejnë rrjedhën historike në interes të shtetit dhe qytetarëve.

Osmani ka folur edhe për orientimin properëndimor të Kosovës dhe bashkëpunimin me aleatët tanë euroatlantik. “Ne do ta lëmë Serbinë, nëse ajo do të rreshtohet kah lindja, por Kosova e ka të betonuar orientimin properëndimor. Ju bëj thirrje të rinjve të Kosovës që të mos ndjehen inferiorë, sepse edhe ju jeni po aq të mirë sikur të rinjtë e Evropës”, ka shtuar Osmani.

(Kosova Sot Online)