Goditja nga SHBA, vjen alarmi serioz për Kosovën

  • 18 September 2019 - 07:45
Goditja nga SHBA, vjen alarmi serioz për Kosovën

“Personat të cilët kanë probleme shprehimisht me ligjin, por që ka edhe të tjerë që akoma shprehimisht nuk janë në ndjekje, por që dihet se kanë dhe mundë të kenë problem serioze me ligjin kur është fjala të dyshimi për korrupsion e pasurim të kundërligjshëm, gjatë dhe pas luftës deri në ditët e sotme, ata kanë shumë para dhe mundë të provojnë që me para ti blejnë edhe votat, sepse duke blerë votat kanë mbijetuar disa herë në zgjedhjet e deritashme”, tha Smaka për “Kosova Sot Online”.

Image
Riza Smaka

Reagimi i ashpër i ambasadorit të SHBA-ve në Kosovës z. Philip Kosnett, kundër lojës së pa ndershme që e luajtën shumica e partive politike shqiptare, konkurruese në zgjedhjet e 6 tetorit, duke futur në lista për deputet edhe emra kandidatë që kanë problem me ligjin, po vazhdon të përkrahet fuqishëm nga figura të botës akademike, ekspert të fushës së sundimit të ligjit dhe njohës të skenës politike kosovare. Në mbështetje të ambasadorit amerikan është deklaruar edhe profesori i së drejtës Riza Smaka, ish deputet i Kuvendit të Kosovës, ish anëtar edhe i komisionit për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovë, në legjislaturën e shpalljes së pavarësisë para 11 vjetësh.

Smaka konsideron se edhe pse nuk janë të gjitha partitë politike që në listat e tyre kanë përfshirë kandidatë me aktakuza, të dënuar ose që janë në procedurë gjyqësore, ato parti politike që kanë vepruar kundër për të cilat vetë ishin deklaruar partitë politike, i kanë vendosur një njollë të madhe të zezë imazhit të demokracisë së re të shtetit të Kosovës dhe institucioneve të reja që do të dalin nga këto zgjedhje, nëse të akuzuarit, dënuarit apo ata që janë në ndjekje nga ligji, fitojnë ulëse ne Kuvend ose marrin pozita në institucione.

“Nuk ka kurrfarë dyshimi se partitë politike që radhisin, respektivisht kanë radhitur në lista emra kandidatësh për deputet që kanë problem me ligjin, kanë gabuar mjaft rëndë dhe ky është një indikator që flet se përkrahjet e veprimeve të tilla rrjedhin nga kreu i lidershipit të atyre partive politike, madhe edhe duke qenë nga droja se edhe vetë ata, apo ato, mundë të jenë , lëndë, objekt trajtimi nga procedurat ligjore të ndjekjes së organit të akuzës apo gjyqësore. Kjo është diçka tepër e keqe për imazhin dhe besimin që jep politika e jonë karshi qytetarëve të vetë por edhe karshi faktorit ndërkombëtar sepse vazhdimisht kemi pasur dhe kemi kërkesa që njerëzit që kanë problem me ligjin të mos futen në listat kandiduese zgjedhore”, tha Smaka për “Kosova Sot Online” .

Sipas tij, thirrjet e miqve ndërkombëtar që të mos propozojnë në lista zgjedhore njerëzit që janë në procedura të ndjekjes, qoftë me aktakuza të shpallura apo procese gjyqësore, kanë vite që i dëgjojmë, por krerët politikë i kanë injoruar ato thirrje,pasi që probleme me ligjin mundë të ketë edhe ndonjëri nga këta lider politik.

“Nuk është vetëm thirrja dhe ky gjykim që vjen tani nga ambasadori i SHBA-ve por kërkesa të ngjashme ka pasur edhe nga kancelarja gjermane, zonja Merkel, nga ambasadori britanez Ruairi O’Conenell e shumë e shumë diplomat e pushtetar të tjerë të BE-së thonë se klasa politike në Kosovë është e kriminalizuar, por populli është i mirë, prandaj kjo që ka ndodhur tani është tepër keq për imazhin e politikës dhe të shtetit të Kosovës”, theksoi Smaka për “Kosova Sot Online”.

Shpresa e vetme për të pastruar sado pak përbërjen e re të Kuvendit, që të mos fitojnë ulëse ata që kanë problem me ligjin, sipas Riza Smakës, janë qytetarët të cilët duhet të angazhohen për t’i identifikuar të tillët dhe për të mos i votuar.

“Nëse do të kishim qytetar të pjekur, të vetëdijesuar dhe të politizuar vetëm pozitivisht, nuk do të duhej besuar votën atyre që ndiqen nga ligji dhe që janë në njëfarë forme të kriminalizuar, sikur që në këtë rast nuk do të duhej besuar votën as atyre ish deputetëve që patën votuar për ti humbur Kosova ata 8200 hektar toke që ju dhanë pa të drejtë malit të Zi. Koha është që të bëhet diferencim I madh politik me votë dhe të votohen të gjithë ata kandidat të rinj për deputet, e që për fat edhe në këto lista ka plot të tjerë në mesin e të cilëve mundë të përzgjidhen ata ma të mirët që nuk kanë pasur deri tash asnjë aferë dhe nuk e kanë bërë asnjë mëkat politik apo veprim kundër interesit të shtetit. Kështu Mundë të krijohet një strukturë krejtësisht e re e Kuvendit të Kosovës dhe nga ajo mundë të del edhe një qeveri e pastër dhe shumë më premtuese, sikur që do të kishim edhe klasën e re premtuese me ata njerëz të rinj”, shtoi profesor Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

Zgjedhjet e 6 tetorit, sipas tij, janë një rast historik i volitshëm që votuesi ta kryej më së miri punën e vetë, duke votuar vetëm personat meritor dhe jo apriori të votohet nën diktatin e liderëve të partive politike ose duke u bërë pjesë e shitblerjes, tregtimit të votës, sepse këtë matrapazllëk e bëjnë vetëm ata që kanë para por që i frikësohen ndjekjes nga ligji.

“Personat të cilët kanë probleme shprehimisht me ligjin, por që ka edhe të tjerë që akoma shprehimisht nuk janë në ndjekje por që dihet se kanë dhe mundë të kenë problem serioze me ligjin kur është fjala të dyshimi për korrupsion e pasurim të kundërligjshëm, gjatë dhe pas luftës deri në ditët e sotme, ata kanë shumë para dhe mundë të provojnë që me para ti blejnë edhe votat, sepse duke blerë votat kanë mbijetuar disa herë në zgjedhjet e deritashme. Mirëpo është koha që qytetarët e mirëfilltë të qëndrojnë drejtë dhe të mos përkulen para ofertave dhe joshjeve të tilla kriminale”, përfundoi Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)