Hoti kritikon PAN-in për punësim të militantëve në prag të zgjedhjeve

  • 18 shtator 2019 - 09:50
Hoti kritikon PAN-in për punësim të militantëve në prag të zgjedhjeve

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar qeverinë në detyrë të Ramush Haradinajt për punësimet e paligjshme.

Hoti përmes Facebook-ut ka shkruar se punësimet e paligjshme në kohë fushate janë abuzim i pastër me paranë publike.

“Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dënon praktikën abuzive të koalicionit dhe Qeverisë në largim, për punësime të paligjshme në sektorin publik, në kohë fushate”, ka shkruar Hoti.

Ai ka thënë se koalicioni qeverisës po punëson militantë për përfitime politike në prag të zgjedhjeve.

“Informatat që vijnë nga institucionet dhe kompanitë publike tregojnë për punësime pa konkurs dhe pa kritere të qindra militantëve partiakë, me qëllim të përfitimeve politike në prag të zgjedhjeve”, ka shkruar Hoti.

Hoti iu ka bërë thirrje monitoruesve vendorë dhe ndërkombëtarë që të evidentojnë këto shkelje të rënda të procesit zgjedhor. 

(Kosova Sot Online)