Goditje e rëndë për partitë politike, ja kush i akuzon keq

  • 19 September 2019 - 13:22
Goditje e rëndë për partitë politike, ja kush i akuzon keq

“Aq shumë po injorohet qytetari i Kosovës me disa zotime e premtime banale, që vijnë nga zyrtarët e ndryshëm të partive politike, sa që të lënë përshtypjen se këto parti politike po e llogarisin këtë popull si idiotë, analfabet ose gjysmë analfabet, krejtësisht të pa dijshëm”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë të cilët kanë një përvojë të gjatë në përcjelljen e fushatave zgjedhore të zgjedhjeve të pas luftës në Kosovë, konsiderojnë se fushata për zgjedhjet e 6 tetorit, është fushata ndër më mashtruese dhe pa asnjë program të shkruar nga partitë politike, por që aty për aty mendohen premtimet ose përsëriten ato të kaluara.

Kështu e vlerëson këtë ecuri të fushatës analisti politik, Bislim Aliu.

“Pa asnjë mëdyshje, partitë politike që po garojnë në këto zgjedhje po tregohen krejtësisht të pa përgatitura për të ofruar programe konkrete të qeverisjes së re në interes të qytetarit, për ta kthyer besimin e humbur për shkak të qeverisjes së dështuar në të gjitha mandatet e kaluara, prandaj edhe nuk po kursehen të bëjnë fushatë politike me premtimet më bajate që mundë të jenë dëgjuar ndonjëherë prej tyre”, tha Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”.

Image
Bislim Aliu

Sipas Aliut, disa nga premtimet dhe “projektet” që premtohen, janë aq të pa menduara dhe aq të pa besueshme sa që si të tilla mundë t’i ofrohen për mashtrim vetëm një shtrese qytetare krejtësisht të pa arsimuar dhe të pa ditur, që nuk merr vesh fare nga politike dhe nga jeta institucionale.

“Aq shumë po injorohet qytetari i Kosovës me disa zotime e premtime banale, që vijnë nga zyrtarët e ndryshëm të partive politike, sa që të lënë përshtypjen se këto parti politike po e llogarisin këtë popull si idiotë, analfabet ose gjysmë analfabet, krejtësisht të pa dijshëm. Për t’i mashtruar dhe bindur qytetarët, që të ju japin votën, jo rrallë, këto parti politike përmes emisarëve të tyre, kurdisin brenda nate premtime “programore” që për qytetarin e mirë informuar janë tepër të pa besueshme e madje edhe bajate”, deklaroi Aliu për “Kosova Sot Online”.

Madje sipas tij, nga debati në debat, po shihet që subjektet politike po i kopjojnë idetë e njërit apo subjektit tjetër politik sepse askush nuk po përqendrohet në një program për ta shpalosur atë pikë për pike e në fusha specifike.

“Ata vetëm po vazhdojnë të përsëritin të njëjtat, vetëm figurat politike po ndryshojnë. Të gjithë paraqiten si ekspert që flasin për zhvillim ekonomik, për punësimin më të madh të mijëra të rinjve që dalin nga viti në vit në tregun e punës, flasin për kapjen e shtetit dhe kundër krimit e korrupsionit por nuk dinë ta parafrazojnë asnjë nen të Kodit Penal”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

Sipas Aliut, kjo huti e madhe e partive politike në këto zgjedhje, tregon më së miri se sa të pa përgatitura janë për t’i dhënë vendit qeverisje me perspektivë zhvillimore, pasi e kaluara e tyre në pushtet për 2 dekada i ka stërkequr e shpenzuar ato duke funksionuar ashtu vetëm si grupe të ngushta interesi, pa ekspertizë profesionale që do të qonte përpara programin për zhvillimin e vendit.

“Edhe nga këto zgjedhje nuk mundë të presim ndryshim dhe zhvillim, janë të njëjtat grupime politike dhe klientela të interesit, pak sa të freskuara por me ide dhe programe të pa afirmuar. Kjo është një nga arsyet pse Kosovës i duhet më urgjencë një frymë krejtësisht e re politike që sjell përvojën dhe praktikën e ndërtimit të shtetit nga demokracitë e zhvilluar evropiane, duke i përshtatur ato në realitetin dhe mundësitë kosovare”, përfundoi Bislim Aliu për Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)