Vjen denoncimi i rëndë për mashtrimet e politikanëve kosovarë

  • 21 September 2019 - 07:41
Vjen denoncimi i rëndë për mashtrimet e politikanëve kosovarë

“Të gjithë flasin për zhvillim ekonomik e punësim më të madh, dikush tjetër e ka specialitet ç’kapjen e shtetit, dikush tjetër bënë fushatë me taksën, e dikush e përdorë mashtrimin e dekadës që nuk e beson askush, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo është një pako e madhe e mashtrimeve që partitë politike po e shpërndajnë gjithandej nëpër tubimet me qytetar por edhe nëpër debatet në medie”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Partitë politike që po garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit, fushatën e tyre me qytetarët e kanë filluar shumë më herët se sa në zgjedhjet e kaluara, para fillimit të fushatës zyrtare të përcaktuar sipas ligjit.

Kjo fushatë po zhvillohet tanimë edhe në medie me debate të nxehta.

Mirëpo analistët politikë që po i përcjellin këto zhvillime, konsiderojnë se këtë vit partitë politike po bëjnë fushatën më të varfër që kemi pasur deri më tani, pasi sipas analsitëve premtimet e tyre janë ndër më bajatet që janë dëgjuar ndonjëherë dhe janë vetë, gënjeshtra të mëdha.

Ky lloj manipulimi, sipas analistit politik, Ragip Guraziu të lë përshtypjen se këto parti politike po i llogaritin shumicën e popullit si idiotë që nuk dinë asgjë dhe mundë t’i gënjejnë si të duan.

Image
Ragip Guraziu

“Po i shohim se si po vazhdojnë të përsëriten të njëjtat storje, siç kanë ndodhur edhe në fushatat tjera, e ku tani edhe partitë politike, zyrtarët e tyre përfaqësues, dhe kandidatët për kryeministra po i përsëritin të njëjta premtime të zgjedhjeve të kaluara por që kanë mbetur të pa realizuara. Të gjithë flasin për zhvillim ekonomik e punësim më të madh,dikush tjetër e ka specialitet ç’kapjen e shtetit, dikush tjetër bënë fushatë me taksën, e dikush e përdorë mashtrimin e dekadës që nuk e beson askush, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo është një pako e madhe e mashtrimeve që partitë politike po e shpërndajnë gjithandej nëpër tubimet me qytetar por edhe nëpër debatet në medie. Madje këto dyja tri premtimet e fundit, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, bashkë me kapjen dhe ç’kapjen e shtetit po bëhen slogani më neveritës i fushatës së këtyre zgjedhjeve”, tha analisti politik, Ragip Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Sipas Guraziut, kjo fushatë bajate, sidomos me premtimet e atyre që ishin në pushtet dhe nuk arritën ta qojnë mandatin në fund por punuan dy vjet vetëm për interesat e tyre, zhvatje dhe plaçkitje të buxhetit të shtetit e punësime në baza klienteliste, po e irriton akoma më shumë popullatën e cila edhe po e humb interesimin që të del në zgjedhje ngase nuk ka alternativë serioze të cilës mundë ti besohet ndryshimi.

“Edhe nga këto zgjedhje të parakohshme parlamentare të 6 tetorit të këtij viti nuk mundë të presim ndryshim të madh pozitiv në përmirësimin e qeverisjes së vendit. Tashmë aktorët politik të lojës po shihen. Edhe pas këtyre zgjedhjeve, në krye të qeverisjes së vendit do ti kemi të njëjtat parti politike, që pa marrë parasysh se kush vjen në pushtet,do të jenë zhgënjimi dhe mjerim për qytetarët e Kosovës. Kjo do të thotë se qytetarët e Kosovës,dhe Kosova, do të udhëhiqen sikur më parë, vetëm disa figura mundë të ndryshojnë aty këtu. Ky do të jetë një vazhdim i ri i mjerimit dhe zhgënjimit që do të zgjas derisa ta kemi një politikë kësisoj klienteliste, deri sa të gjendet një alternativë e re politike me politikan të gjeneratave të reja të shkolluar jashtë Kosovës, të gatshëm për ti dhënë vendit të tyre një qeverisje pro perëndimore, ky vjen në shprehje interesi dhe kërkesa e qytetarit dhe jo lakmia për pasurim të kundërligjshëm nga ana e pushtetarit”, përfundoi Guraziu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)