Beteja për Vatikanin, Presidenti Thaçi e kërkon njohjen nga Selia e Shenjtë

  • 24 September 2019 - 15:50
Beteja për Vatikanin, Presidenti Thaçi e kërkon njohjen nga Selia e Shenjtë

I pari i shtetit, Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim me sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, derisa, bëhet e ditur se të njejtit i ka kërkuar që të njohin shtetin e Kosovës.

Përmes një komunikate dërguar për media, u bë e ditur se ky takim erdhi në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti Thaçi, fillimisht e ka falënderuar atë për mbështetjen që Selia e Shenjtë i ka dhënë popullit të Kosovës para, gjatë dhe pas luftës.

I njejti ka shtuar se njohja formale e Kosovës nga Selia e Shenjtë do të kurorëzonte krejt angazhimin e saj për sigurimin e paqes dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.

“Populli i Kosovës gjithmonë është udhëhequr nga vlerat e Shën Terezës, vlera të tolerancës, paqes dhe bashkëjetesës. Jemi mirënjohës për mbështetjen që Selia e Shenjtë i ka dhënë popullit të Kosovës. Krejt çfarë ka mbetur është njoha nga Vatikani”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Thaçi e ka informuar sekretarin Parolin për harmoninë fetare në Kosovë, për bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve, vlera mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.

Nga ana tjetër, Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, Pietro Parolin ka thënë se Selia e Shenjtë është e përkushtuar për paqen, tolerancën dhe stabilitetin në Kosovë.

Para pak ditësh në Vatikan ka qëndruar Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq i cili pas takimeve me Papën dhe zyrtarët atje tha se Vatikani s’do të ndryshojë qëndrim rreth Kosovës.

(Kosova Sot Online)