Shkon në 37 numri i viktimave të tërmetit në Pakistan

  • 25 September 2019 - 13:44
Shkon në 37 numri i viktimave të tërmetit në Pakistan

Komisioneri rajonal i Mirpurit në Pakistan, Muhammad Tayyab, njoftoi të mërkurën se numrin i personave të vdekur nga tërmeti i fuqishëm i së martës tashmë ka shkuar në 37.

Pakistani u godit të martën nga një tërmet me fuqi prej 5.8 shkallësh të Rihterit. Epiqendra e tij ishte në qytetin Mirpur, në rajonin pakistanez të Kashmirit.

Në disa fotografi të publikuara në internet shihet se kjo dridhje ka shkaktuar çarje të mëdha të rrugëve dhe i ka shkatërruar shumë shtëpi.

“Qendra e tërmetit ishte dhjetë kilometra në thellësi të tokës dhe kjo ishte dridhja më e rëndë që e ka goditur ndonjëherë këtë rajon”, tha drejtori i meteorologjisë në Pakistan, Mohammad Riaz.

Raportohet se në mesin e viktimave të tërmetit ka edhe fëmijë. Ushtria e Pakistanit ka dërguar ndihma mjekësore përmes ajrit në zonën e goditur nga tërmeti.

Dridhjet e tërmetit të djeshëm janë ndier edhe në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, dhe atë të Indisë, Neë Delhi, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)