Nasim Haradinaj: Specialja ka lëshuar 15 ftesa, disa prej tyre janë për ish-ushtarë nga rajoni i Llapit

  • 25 September 2019 - 14:37
Nasim Haradinaj: Specialja ka lëshuar 15 ftesa, disa prej tyre janë për ish-ushtarë nga rajoni i Llapit

Rreth 15 ftesa të reja për intervistim janë lëshuar për kosovarët nga prokurorët e Gjykatës Speciale në Hagë. Disa nga to janë lëshuar për ish-ushtarë të UÇK’së nga rajoni i Llapit dhe për civil. Kështu ka deklaruar për Express, nënkryetari i OVL-UÇK’së, Nasim Haradinaj. Ai po ashtu i ka  ka thënë se Specialja po i trajton kosovarët si skllevër.

Nasim Haradinaj ka kritikuar ashpër qasjen e Gjykatës Speciales kundrejt kosovarëve. Ai ka thënë se ftesat që po dërgohen për intervistim për kosovarët nga Specialja janë tallje për institucionet e Kosovës.

“Ata po dërgojnë thirrje “blanko” njësoj sikurse për dëshmitarët ashtu edhe për të dyshuarit është e njëjta sjellje, i njëjti tekst, dikën e vendosin si të dyshuar, dikë si dëshmitar e dikë si dëshmitar i dyshuar. Mua këto ftesa po ma çojnë mallin si ftesa të nënshkruara nga Jusuf Karakashi në kohën e Rrahman Morinës”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka deklaruar se disa nga ftesat ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por edhe për civilët janë nga rajoni i Llapit.

“Ne kemi informacione se disa nga ftesat janë për ish-ushtarët e rajonit të Llapit”, ka thënë Haradinaj.

Tutje, nënkryetari i OVL’së ka deklaruar se i ka informuar avokatët e oborrit mbretëror të Britanisë së Madhe për këtë qasje jo-njerëzore që e kanë përfaqësuesit e Gjykatës Speciale, në një takim që e kanë pasur si nënkryetar i OVL e UÇK-së.

“Në një takim ma avokatët e oborrit mbretëror të Britanisë së Madhe që e kemi pasur, ata janë befasuar me qasjen e thirrjeve të Gjykatës Speciale, Ata na kanë premtuar që këtë çështje do ta trajtojnë shumë mirë dhe se do t’i publikojnë nëpër gazetat më të njohura britanike dhe amerikane, gjithashtu, ata na kanë premtuar se kanë me iu shkru edhe prokuroreve të Speciales për këtë qasje të tyre”, ka thënë Hardinaj.

Haradinaj ka njoftuar  se  gjatë ditës së sotme  në Hagë për t’u intervistuar nga hetuesit e Gjykatës Speciale do të shkojë ish –ushtari i UCK’së Petrit Bojaxhiu

(Kosova Sot Online)