Arsimi drejt shkatërrimit”, vjen alarmi i keq për Kosovën

  • 26 September 2019 - 16:37
Arsimi drejt shkatërrimit”, vjen alarmi i keq për Kosovën

“Sikurse në kolegjet private, edhe në universitetet publike, jashtë Prishtinës, nuk ka student, por mbahen sekret emrat e studentëve , vetë, për të mos u shuar vendet e profesorëve, që marrin paga pa punuar fare! Andaj, braktisja e studentëve po ndodhë, pikërisht për shkak se nuk po shohin asnjë perspektivë në Kosovë, ku vazhdimisht po sundon nëntoka kriminale dhe krimi e korrupsioni”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

Krimi dhe korrupsioni i instaluar në institucionet e Kosovës në këto 20 vitet e pas luftës, sipas analistëve të fushave të ndryshme, kanë prekur rëndë edhe fushën e arsimit me specifikat e veta të veçantë të kriminalizimit dhe shkatërrimit të këtij sektori më jetim për të ardhmen e vendit.

Image
Bislim Aliu

Këtë të vërtetë të dhimbshme, vështirë të kompensueshme e nxjerr në sipërfaqe me fakte, analisti dhe njohësi i mirë me përvojë shumë vjeçare, Bislim Aliu.

Ai thotë se në vend se të kompensohen ato humbjet në arsim që Kosova i pësoi për shkak të fillimit të masave të dhunshme nga regjimi serb, në periudhën e pas luftës ishte politika e inkriminuar ajo që edhe më tej vazhdoi me shkatërrimin e arsimit në Kosovë, në mënyrën e vetë, që u shndërrua në biznes fitimprurës për klane e klientela politike, ku shumë kolegje private që ishin formuar me entuziazëm të madh kanë mbetur pa studentë, e pa studentë po mbesin edhe universitetet publike sepse realiteti po shihet që është i zymtë dhe i pa shpresë.

“Pa dyshim, është vetë politika e inkriminuar ajo që e ka degraduar arsimin në Kosovë, ku sikur që po shite tash e sa vite, edhe sot, shumë kolegje private, të cilat ishin formuar në emër të kualitetit dhe konkurrencës për mësimdhënie me programe të avancuara, kanë mbetur gati të boshatisura, pa studentë. Nuk është vetëm ky sektor, Fatkeqësia është akoma më e madhe me degradimin dhe humbjen e shpresës edhe për sektorin publik. Pa studentë po mbesin edhe universitetet publike”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

Megjithatë, ai thotë se krimi më i madh në arsim ka ndodhur përmes të të ashtuquajturave kolegje private, të cilat nuk kanë prodhuar asnjë rezultat për tregun e punës në Kosovë, por të rinjtë e diplomuar aty janë detyruar të kërkojnë fatin e tyre jashtë vendit, pa pyetur për profesionin për të cilin kinse janë përgatitur në vend. Ky lloj mashtrimi ka bërë që shumë shpejt të humbet interesimi për të studiuar në kolegjet e tilla.

“Interesimi i të rinjve, po humb dita ditës për të studiuar në këto kolegje private, të cilat nuk ofrojnë gjë tjetër, pos diploma të pavlerë Për këtë lloj lamije të pasurimit të individëve edhe përmes mashtrimeve të tilla, politika e katandisi arsimin në këtë gjendje, ku këto kolegjet private, përpiqen vetëm të mbijetojnë , duke formuar degë për të eksportuar infermierë e profile të tjera, madje edhe gjysmake, jashtë vendit, kurse për degë të tjera as që ka interesime”, shtoi Aliu për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, këtë model për ta degraduar arsimin e lartë e kanë përdorur edhe në sektorin publik, ku politika për interesin e vetë partiak, ka hapur “Universitete” në të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës.

“Sikurse në kolegjet private, edhe në universitetet publike, jashtë Prishtinës, nuk ka student, por mbahen sekret emrat e studentëve, vetë, për të mos u shuar vendet e profesorëve, që marrin paga pa punuar fare! Andaj, braktisja e studentëve po ndodhë, pikërisht për shkak se nuk po shohin asnjë perspektivë në Kosovë, ku vazhdimisht po sundon nëntoka kriminale dhe krimi e korrupsioni”, përfundoi Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)