Alarmon profesori i njohur: Vetëm kjo gjë e shpëton Kosovën

  • 27 September 2019 - 13:10
Alarmon profesori i njohur:  Vetëm kjo gjë e shpëton Kosovën

“Sipas analizave kërkohet një spastrim i tërësishëm në sistemin e drejtësisë. Ky spastrim nuk mundë të bëhet ndryshe vetëm se me ligjin Vetting dhe me dekriminalizimin. Duhet domosdo të zbatohet sa më shpejtë një masë e tillë, përndryshe vendi po rrëshqet dita-ditës në kaos, po rrëshqet në anarki”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Drejtësia e kosovare e cila po ballafaqohet dita ditës me skandale nga më të ndryshmet, me përfshirjen e zyrtarëve në krim e korrupsion, sipas njohësve të kësaj fushe nuk mundë të vihet në rrugë të drejtë, nuk mundë të pastrohet nga abuzuesit me ligjin, sikur ishte rasti i fundit, abuzimi me detyrën zyrtare nga gjyqtari i Gjykatës Themelore të Pejës, pa miratimin dhe fillimin e zbatimit të dy ligjeve që hapin dosjen e të inkriminuarve në sistem, Ligjit për Vetting-un në drejtësi dhe Ligjin për dekriminalizim.

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi tha për “Kosova Sot Online”, se me këtë gjyqësor të korruptuar që kemi, nuk ka efikasitet në zgjidhjen e rasteve, pavarësisht rritjes së numrit të gjykatësve e prokurorëve, sepse dita ditës po shihet sa thellë janë të korruptuar edhe vetë njerëzit në këtë sistem, sistem ky i kontrolluar për dekada të tëra kryesisht nga PDK-ja .

Të dhënat më të reja tregojnë se vit pas viti, pavarësisht rritjes së numrit të gjykatësve, uljes së numrit të lëndëve të pranuara, rezulton se Departamentet e Krimeve të Rënda të gjykatave themelore kanë ulur efikasitetin e tyre në zgjidhjen e lëndëve.

“Që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, numri i gjyqtarëve në DKR të gjykatave është rritur për 19%, ndërsa efekti i kësaj rritje nuk ka rezultuar me rritje të numrit të lëndëve të zgjidhura, por përkundrazi ka pasur 334 lëndë më pak të zgjidhura. Efikasitet i ulët rezulton se ka qenë edhe në katër DKR të prokurorive themelore, ku sipas raporteve të Prokurorit të Shtetit del se ato nuk kanë arritur të përmbushin normën orientuese. Pavarësisht kësaj performance, në raporte zyrtare të këshillave nuk theksohet asnjë masë konkrete në drejtim të përmirësimit të situatës”, thuhet në raportin e hartuar nga IKD-ja.

Bazuar në këtë raport por edhe në dhjetëra analiza të tjera të mëhershme që japin rezultate të dobëta, profesor Kelmendi thotë se zgjidhja e vetme mbetet pastrimi rrënjësor i sistemit përmes dekriminalizmit të plotë dhe Vetting-ut.

Image
Muhamet Kelmendit

Sipas Muhamet Kelmendit, grushti më i rëndë që i është dhënë sistemit të drejtësisë, kapjes së tij kriminale nga politika, ka ndodhur pas shpalljes së pavarësisë, periudhë kohore kjo e qeverisur dhe kontrolluar kryesisht nga PDK, për t’i dhënë vulën në këtë mandat, ministri Abelard Tahiri.

“Të gjitha raportet që flasin dhe analizojnë punën e sistemit të drejtësisë po vazhdojnë të japin vlerësime negative. Edhe raporti i fundit i IKD-së është konstatimi më i ashpër ndaj sistemit të drejtësisë dhe ministrit Abelard Tahiri, i cili del nëpër emisione televizive dhe lavdërohet për sukses”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

E për ta dëshmuar këtë, sipas Kelmendit flet më së miri rasti i Pejës, por që ky është vetëm një i kapur, kurse me dhjetëra raste të tjera të tregtisë dhe vjedhjes së lëndëve për t’i shitur ato nuk zbulohen, mbeten të pa njohura për opinionin sepse palët detyrohen të heshtin, detyrohen të nënshtrohen dhe të mos i denoncojnë këto mënyra abuzimi kriminal, sepse i mbron politika.

“Kapja e gjyqtarit në Pejë është vetëm një rast, sepse të tillë ka mjaft nëpër prokurori dhe nëpër gjykatat e Kosovës. Ka shumë të tillë të kriminalizuar. Ky fakt provohet fare lehtë nëpërmjet hetimit të pasurisë që e kanë dhe e posedojnë njerëzit e politikës, të prokurorisë, të gjykatave, të korporatave publike dhe të firmave private të oligarkëve të inkriminuar të lidhur me politikën”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, kjo shtresë e njerëzve të korruptuar në drejtësi, siguri dhe në politikë, është një shtresë e ndarë krejtësisht nga populli dhe e zhvatin atë në mënyrë kriminale, prandaj vetëm Ligji Vetting dhe Ligji i dekriminalizimit, për ta hetuar dhe konfiskuar pasurinë e tyre, janë zgjidhjet për ta shpërbërë dhe zhdukur këtë rrjet kriminal.

“Gjithsesi që duhen të dyja këto ligje, dhe në këtë drejtim duhet të veprohet me prioritet nga qeveria e re. Kjo ndarje ka krijuar një klasë të rrezikshme dhe shumë të ashpër. Kjo klasë kriminale e njerëzve në drejtësi, edhe në politikë, ka kapur shtetin dhe kryesisht është ndërtuar në këto vitet e fundin nën kontrollin edhe nën udhëheqjen e PDK-së, sepse realisht kjo shtresë kriminale edhe po e bënë ligjin. Sipas analizave kërkohet një spastrim i tërësishëm në sistem. Ky spastrim nuk mundë të bëhet ndryshe vetëm se me Ligjin Veting dhe me dekriminalizimin. Duhet domosdo të zbatohet sa më shpejtë një masë e tillë, përndryshe vendi po rrëshqet dita-ditës në kaos, po rrëshqet në anarki. Nga kjo gjendje kaotike ka rrezik që vendi akoma më shumë të vazhdon të zbrazet, madje tërësisht, kryesisht nga të rinjtë e të rejat e vendit. Ky rrezik është shumë afër dhe po shkojmë dita ditës duke ju afruar më shumë, sepse sinjalet po shihen, janë tepër të dukshme”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )