DGAP: Borell pa eksperiencë, Përfaqësuesi Special për dialogun të jetë diplomat që e mbështet QUINT’i

  • 28 September 2019 - 12:44
DGAP: Borell pa eksperiencë, Përfaqësuesi Special për dialogun të jetë diplomat që e mbështet QUINT’i

Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, Josep Borell, do të marrë postin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian dhe me shumë gjasë do të jetë edhe ndërmjetësues në dialogun për normalizim të raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në rast se Bashkimi Evropian nuk do të emërojë ndonjë Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor.

Në një analizë të publikuar nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie të Jashtme (DGAP), janë dhënë disa pika udhëzuese që Borell duhet të ndjek në raport me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këshilla e parë nga DGAP për Borellin është që ai të dërgojë një mesazh të qartë drejt Gjermanisë, Francës dhe faktorëve tjerë kyç që ai do ta ketë prioritet dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe që t’i bëjë bisedime te ardhshme që do të ndodhin më transparente. Kjo pasi që sipas DGAP nën drejtimin e Federica Mogherinit, nuk ka pasur shumë transparencë.

“Ai gjithashtu duhet të zgjerojë dhe fuqizojë ekipin e tij të vogël të EEAS. Për më tepër ai si një katalunas i lindur që është kundër pavarësisë së rajonit të tij, duhet të dërgojë një mesazh të qartë se ai mund të dal përtej identitetit të tij personal për të forcuar perspektivën evropiane mbi Kosovën, të cilën Spanja nuk e njeh si shtet, një nga pesë vendet anëtare të BE’së”, thuhet në analizën e DGAP.

Nga ky institut thonë që Borell do të ketë kohë që të përgatitet për një çasje të tillë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që parashikojnë që bisedimet të mos fillojnë gjatë këtij viti, për shkak të zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 6 tetor në Kosovë.

Ndërkohë parashikojnë që situata mund të përkeqësohet në rast se Bashkimi Evropian vendos që të mos i hap negociatat për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore. Megjithatë thonë se kjo nuk mund të jetë një arsyetim që Borell të mos e fillojë punën në mënyrë intensive që në momentin e parë kur e merr mandatin.

Përveç tjerash parashikohet që mund të ketë edhe zgjedhje të parakohshme në Serbi.

“Së dyti, Borell mund të ketë kohën në favor të tij sa i përket kësaj çështje. Mundësia për vazhdimin e bisedimeve duket se nuk do të vijë përpara vitit 2020. Fillimisht duhet të krijohet qeveria e re dhe e cila mund pastaj të negocioj një platformë të përbashkët me presidentin Thaçi. ( Në zgjedhjet e fundit, Kosovës i është dashur 3 muaj që të krijojë qeverinë). Ndonjë zhvillim i brendshëm në Serbi, gjithashtu mund të sjellë edhe atje zgjedhje të parakohshme në pranverë. Për më tepër situata në rajon mund të bëhet edhe më e pasigurt nëse samiti i ardhshëm i BE-së në mesin e tetorit, përfundon pa i dhënë Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë një datë për të filluar bisedimet për integrim në Bashkimin Evropian. Por kjo nuk do të thotë që Borell nuk duhet të jetë aktiv që nga fillimi”.

Në fund nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie të Jashtme (DGAP), thonë se do të ishte mirë që Borell të këshillohej që t’ia delegoj rastin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë një Përfaqësuesi Special.

“Borell duhet të caktoj  një politikan ose diplomat me peshë që është i kalibrit të një ish-ministri ose kryeministri e që është i mbështetur nga QUINT-i, dhe gjithashtu i mirëpritur nga Beogradi dhe Prishtina. Si dhe gjithashtu Përfaqësuesi i Borellit duhet të jetë një partner i të sapo emëruarit të SHBA’së , Matthew Palmer, i cili ka përsëritur vazhdimisht që prioriteti i tij është që të kthejë dy palët në tavolinën e negociatave”, thuhet tutje në këtë analizë të gjatë.

Në fund thonë që nëse emërohet një Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian, atëherë roli i Përfaqësuesit të Lartë në këtë rast Josep Borellit, do të jetë që të jap udhëzime strategjike dhe burimet e nevojshme, dhe që të raportojë në Këshillin Evropian, në vend se të përfshihet në detaje të negociatave aktuale.