Si po premtohet në fushatë edhe shkarkimi i Presidentit

  • 30 September 2019 - 16:53
Si po premtohet në fushatë edhe shkarkimi i Presidentit

Hashim Thaçi, që udhëheq me postin më të lartë në shtet, nuk e pati problem në mandatin e tij të diskutojë për shkëmbim me territore me Serbinë. Kjo çështje që u kritikua ashpër nga ndërkombëtarët, në kohë të fushatës po përmendet si arsye për ta dërguar në shtëpi para përfundimit të mandatit Thaçin.

Pak ditë i kanë mbetur partive politike që të flasin për programet që kanë në rast se fitojnë besimin për të udhëhequr me qeverinë e ardhshme. E në saje të fushatës, emri i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, u përmend disa herë gjatë zotimeve.

Ishte kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani që kishte paralajmëruar shkarkimin e Thaçit nga pozita e presidentit, në rast se LDK del e para e ajo emërohet kryeministre.

E njëjta, këtë e kishte deklaruar në emisionin Pressing duke folur për dialogun Kosovë-Serbi.

 “Presidenti Hashim Thaçi nuk do ta udhëheq dialogun mes Kosovës dhe Serbinë. Unë nuk do ta lejoj këtë që të ndodhë. Ramush Haradinaj e ka bërë gabimin më të madh në qeverisjen e tij. Ai është dashur të merret me dialogun dhe jo të lihet në dorën e Thaçit. Ai duhet të shkojë në shtëpi dhe kjo do të ndodh pasi në ta marrim qeverinë. Ne do të kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese interpretim për shkeljet që i ka bërë”, ka thënë Osmani.

Si Vjosa Osmani po mendon për shkarkimin e Thaçit edhe lideri i Vetëvendosjes e kandidati i kësaj partie për kryeministër, Albin Kurti. I njëjti po thotë se qeveria e udhëhequr nga ai do ta ketë të lehtë që ta largojë nga pozita.

“Presidenti do të bashkëpunojë me ne, ai duhet. Ai do ta kuptojë që duhet ta lëshojë atë vend. Kur të ndërrojë qeveria duhet të ndërrojë edhe presidenti. Thaçi është pjesa më e lehtë e punës, do të shkarkohet kollaj. Çka ka bërë ai dy vitet e fundit dihet se shpejt shkarkohet”, tha Kurti.

Pavarësisht arsyes që kanë dy kandidatët për kryeministër që të përmendin shkarkimin e Thaçit, njejtë nuk po mendojnë njohësit e cështjeve politike.

Në një përgjigje për medie, analisti Imer Mushkolaj ka thënë se janë disa shkelje që duhet të bëjë presidenti për ta shkarkuar nga pozita.

“Shkarkimi i presidentit është e definuar qartë në kushtetutë dhe për tu shkarkuar ai duhet të bëjë shkelje të caktuara që po ashtu janë të caktuara në kushtetutë. Kështu që deklaratat e LDK-së e VV-së janë fluska elektorale që nuk munden me ndodhë. Na si qytetarë nuk mundemi me pritë edhe nëse dyjat krijojnë koalicion që mund të shkarkojnë presidentin, edhe pse kuvendi e zgjedh presidentin ekzistojnë arsye specifike nëse ai mund të shkarkohet”, thotë Mushkolaj, derisa tutje, përmend edhe ato që i quan ‘pazare’ në kohë të fushatës, ku hyn edhe posti i presidentit.

“Në varet nëse ndodh ose jo reforma zgjedhore, është shumë e rëndësishme nuk e di a ndodh apo jo, varet nga reforma, edhe po them se zakonisht marrëveshjet për koalicione e fusin në pazar edhe postin e presidentit, në mënyrë që LDK ka përvojë në këtë aspekt me Hashim Thaçin”, ka thënë ai.

Analistja Donika Emini në anën tjetër vlerëson se kjo deklaratë duket më shumë eufori për ta çuar në opozitë PDK-në, që e kishte udhëhequr dikur Thaçi.

“Pavarësisht figurës së kontestuar të Presidentit Thaçi, kjo deklaratë nga këto dy parti politike duket më shumë për t’i kontribuar edhe më tej euforisë së përgjithshme për të çuar PDK në opozitë dhe ç’kapje të shtetit. Mirëpo, janë procedura të veçanta kur Presidenti mund të rrëzojnë presidentin e një shteti, kjo do të mund të ndodhte ne rast se ky fundit nënshkruan potencialisht një marrëveshje me Serbinë që nuk e përfaqëson frymën e konsensusit të brendshëm në Kosovë dhe është kundër kushtetues. Në raste të tjera, kjo të jep ndjenjën se është vetëm për konsum të brendshëm politik dhe për populizëm para zgjedhjeve. Besoj që secila parti që do të vijë në pushtet do të marr mandatin nga po ky President, andaj ky diskurs nuk i kontribuon pozitivisht situatës”, thotë Emini, derisa, tutje  flet edhe për reformat të cilat duhet të bëhen për ta ç’kapur shtetin.

“Gjithashtu, Kosova ka nevojë urgjente për reforma të thella dhe ç’kapje të shtetit, andaj këto do të duhej të ishin prioritare për secilin kandidat për kryeministër. Për LDK-në mjafton që mos të votoj sërish për potencialisht ri-zgjedhje të presidentit, apo të mbaj tutje PDK-në në pushtet sic ka ndodhur edhe më herët. Kjo do të mjaftonte për elektoratin e tyre”, thotë Donika Emini.

Neni 91 i Republikës së Kosovës thotë se presidenti mund të shkarkohet nga Kuvendi, në rast se ai është i dënuar për kryerjen e ndonjë krimi të rëndë, ose atëherë kur nuk është i aftë për të ushtruar përgjegjësisë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë. Ai mund të shkarkohet edhe në rast se përcaktohet se ai ka bërë ndonjë shkelje të rëndë të kushtetutës.

Procedura për shkarkimin e presidentit mund të iniciohet nga një e treta e deputetëve të Kuvendit, të cilët mund të shkruajnë peticion me arsyet për shkarkim.

“Në rast se peticioni supozon sëmundjen e rëndë, Kuvendi do të kërkojë mendimin e konsiliumit mjekësor  për  gjendjen  shëndetësore  të  Presidentit.  Në rast se peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosë për këtë çështje brenda shtatë (7) ditësh nga marrja e peticionit. Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është dënuar për ndonjë krim të rëndë ose kur nëse Kuvendi,  në  pajtim  me  këtë  nen,  konstaton  që  Presidenti  nuk  është  i  aftë  të  ushtrojë përgjegjësitë  e  tij/saj  për  shkak  të  sëmundjes  së  rëndë  ose  nëse  Gjykata  Kushtetuese konstaton se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, Kuvendi mund të shkarkojë Presidentin me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të tij”, thuhet në këtë nen.

Hashim Thaçi ishte zgjedhur president i Kosovës, në raundin e tretë të votimeve në kuvend, në shkurt të vitit 2016-të. Mandati i presidentit zgjatë pesë .

(Kosova Sot Online)