Dialogu në Bruksel, ja kushtet e Kosovës që duhet t’i vendosen Serbisë

  • 01 October 2019 - 15:48
Dialogu në Bruksel, ja kushtet e Kosovës që duhet t’i vendosen Serbisë

"Gjetja e të zhdukurve, kërkim falja dhe dëmshpërblimi nga Serbia duhet po ashtu të jenë kushte të pandryshueshme të Kosovës. Ndërmjetësuesit të bisedimeve Zotit Borell, duhet ti bëhet e qartë nga kryeministria e ardhshme e Kosovës që integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm", tha Voca.

Në një analizë të publikuar nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie të Jashtme (DGAP), janë dhënë disa pika udhëzuese që Josep Borell duhet të ndjek në raport me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këshilla e parë nga DGAP për Borellin është që ai të dërgojë një mesazh të qartë drejt Gjermanisë, Francës dhe faktorëve tjerë kyç që ai do ta ketë prioritet dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe që t’i bëjë bisedime te ardhshme që do të ndodhin më transparente.

Kjo pasi sipas kësaj analize, nën drejtimin e Federica Mogherinit, nuk ka pasur shumë transparencë.

E në lidhje me këtë çështje foli njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca.

Image
Mirsad Voca

Në një prononcim për "Kosova Sot Online", Voca tha se këshilla nga DGAP ndaj Borell-it lidhur me bisedimet Kosovë-Serbi është e qartë dhe thërret për transparencë.

"Megjithatë, duke e patur parasysh qëndrimin politik të Shtetit nga ai vjen, duhet t’i bëhet e qartë që ai të ruaj qëndrimin neutral si ndërmjetësues duke pasqyruar një qëndrim të BE-së e jo të Shtetit të tij të origjinës. Nëse Zoti Borell nuk konsideron se Kosova dhe Serbia negociojnë si dy shtete të pavarura, atëherë Kosova ka të drejtë të kërkoj ndërmjetësues të ri", tha Voca për "Kosova Sot Online".

Sipas Vocës, koha e Mogherinit nuk përsëritet nëse ekipi negociator i Kosovës ka platformë të qartë, dhe nëse nuk do të lejoj hapësirë për devijim të procesit të negociatave. 

"Zoti Borell ka rol vetëm ndërmjetësues, ndërsa procesi varet më shumë nga delegacioni kosovar. Si pikë fillestare, ekipi negociator i ardhshëm i udhëhequr nga qeveria e Kosovës, duhet të rishikoj të gjitha pikat e marrëveshjes një nga një të akorduara më parë, pastaj të selektohen marrëveshjet e zbatuara, pjesërisht të zbatuara dhe ato të pazbatuara nga ana e Serbisë", shtoi Voca për “Kosova Sot Online”.

Tutje, Voca shtoi se ekipi negociator duhet po ashtu të ketë kërkesa të qarta dhe të mos lejohet që Serbia të jetë gjithnjë në një ofensivë agresive.

"Gjetja e të zhdukurve, kërkim falja dhe dëmshpërblimi nga Serbia duhet po ashtu të jenë kushte të pandryshueshme të Kosovës. Ndërmjetësuesit të bisedimeve Zotit Borell, duhet ti bëhet e qartë nga kryeministria e ardhshme e Kosovës që integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm", theksoi Voca.

Për fund, Voca deklaroi se sa i përket pozitës së tanishme të Borell-it, problemi qëndron në atë se Kosova nuk ka qasje në emërimin e tij, mirëpo pa paragjykuar procesin e ardhshëm të negociatave, Kosova ka të drejtë të reagoj madje të refuzojë ndërmjetësimin nga Borell, nëse vërehet ndonjë qëndrim jo neutral ose favorizues ndaj Serbisë nga ana e tij.

"Duhet po ashtu t’i bëhet e qartë Zotit Borell për të bërat e Serbisë në ish-Jugosllavi ndaj popujve dhe ish republikave jugosllave. Dialogu duhet të përfundoj me njohje reciproke dhe Serbia duhet të heq Kosovën nga preambula kushtetuese e saj e cila doemos ndërlidhet me kapitullin 35 pa përmbushjen e të cilit rruga e Serbisë për në BE nuk mund të realizohet. Kjo nënkupton që Serbia duhet absolutisht të normalizoj marrëdhëniet dhe të njeh fqinjët e saj. Dhe marrëveshjet duhet të afatizohen e jo ti lejohet Serbisë që të vazhdoj me politikën “tërheq e mos shkëput » të ngjashme me atë të viteve të 90-ta", përfundoi Voca për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)