Vëllai vrau vëllanë dhe nipin, më pas veten! Mësohen emrat

  • 01 October 2019 - 16:56
Vëllai vrau vëllanë dhe nipin, më pas veten! Mësohen emrat

Një konflikt për pronën ka shkaktuar një tragjedi në fshatin Xibër të Klosit, atje ku tre persona kanë mbetur të vrarë.

Një sherr mes dy vëllezërve Sali Dakuci dhe Kujtim Dakuci ka degjeneruar në përdorimin e armëve dhe është përkthyer në tragjedi në familje. Sali Dakuci ka qëlluar me armë të vëllanë dhe më pas ka qëlluar dhe nipin e tij Flogert Dakuci.

Babë e bir kanë vdekur dhe në momente të rënduara psikologjike, Sali Dakuci e ka drejtuar armën e krimit nga vetja dhe ka qëlluar.

Rrethanat sesi ka ndodhur ngjarja mbeten ende të paqarta dhe për t’u sqaruar, teksa policisë dhe shërbimeve të urgjencës spitalore i janë dashur rreth dy orë për të shkuar në skenën e krimit për shkak se fshati ndodhet në një zonë të thellë malore./Express

Informacioni paraprak nga Policia e Klosit:

“Me datë 01.10.2019, rreth orës 14.24, në fshatin Xibër, Bashkia Klos, në rrethana ende të paqarta shtetasi S.D, ka vrarë me armë zjarri pistoletë kushëririn e parë, shtetasin K.D dhe djalin e këtij të fundit shtetasin F.D dhe më pas shtetasi S.D ka vrarë veten.

Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes”.


(Kosova Sot Online)