Arrestohet personi që dëmtonte billbordet e VV’së në Deçan

  • 03 October 2019 - 15:38
Arrestohet personi që dëmtonte billbordet e VV’së në Deçan

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person në Deçan, pas ankesave të një subjekti politik për dëmtimin e disa billbordeve, të cilat kishin qenë të vendosura në një objekt privat. Bëhet fjalë për një 19 vjeçar me inicialet A.T.

Rastin e ka konfirmuar Policia Rajonale të Pejës përmes një komunikate drejtuar mediave.

“Policia e Kosovës dhe Stacioni Policor në Deçan në koordinim të plotë me prokurorin e Prokurorisë Themelore në Pejë, pas një pune intensive operativo-hetimore me datën 02.10.2019 kanë identifikuar dhe kanë arrestuar të dyshuarin A. T., i lindur me 2000 m/k/sh”, thuhet në komunikatë.

Policia bën të ditur se ndaj të dyshuarit të lartcekur me datën 03.10.2019 është parashtruar kallëzim penal për veprën ‘asgjësim apo dëmtim i pasurisë së luajtshme’, dhe se rasti është duke u hetuar nën drejtimin e Prokurorisë Themelore në Pejë.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ishte ankuar se pesë herë në Deçan persona të panjohur kanë dëmtuar banerët elektoral të cilët paraqisnin liderin e partisë, Albin Kurti.

 “Ky veprim i shëmtuar tregon frikën e cila i ka kapur bandat partiake që e kanë vjedhur Kosovën për 20 vite me radhë. Me pushtetin e tyre po largohet rinia, por me pushtetin e Vetëvendosjes do të largohet mafia”, thuhej në reagimin e tyre në Facebook.

Të njëjtit kishin thënë se do të vazhdojnë t’i vendosin përsëri banerët, pasi që sipas tyre, nuk do të bien pre e provokimeve të subjekteve të PAN-it.

“Ne do të vazhdojmë t’i vendosim banerët tanë, sipas ligjit, kudo. Subjektet e PAN-it, në panik sepse janë jashtë gare, po kërkojnë vazhdimisht të na provokojnë. Por ne nuk do të biem pre e provokimeve të tyre. Aktivistët tanë në Deçan, e në krejt Kosovën, kanë qenë në gjendje të ballafaqohen me guxim maksimal, dhe gjithnjë të fitojnë, përballë pushtetarëve abuzivë nga të gjitha partitë”, thuhej në reagim.

D E K L A R A T Ë

Dje më 26.09.2019, rreth orës 21:30, është dëmtuar billbordi i kandidatit për Kryeministër nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti. Pas këtij dëmtimi, aktivistët kanë vendosur sërish billbordin e ri, në vendin e njëjtë dhe vetëm pas dy ore, konkretisht diku rreth ores 23:00, është dëmtuar sërish. Pas informacionit që këmi marrë nga qytetarët e Deçanit, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë dal në vendin e ngjarjes, duke njoftuar policinë për rastin në fjalë. Në lidhje me këtë rast, janë ndalur 3 perosna si të dyshuar për vepren penale nga nenin 321, i Kodit Penal, lidhur me "Asgjësimin dhe Dëmtimin e Pasurisë".
Andaj, përmes kësaj deklarate, kërkojmë nga institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë, që të marrin masat ligjore, ndaj të dyshuarve, të parapara me Kodin e Procedurës Penale.

(Kosova Sot Online)