Rusia u dërgon notë proteste Shteteve të Bashkuara

  • 06 October 2019 - 13:53
Rusia u dërgon notë proteste Shteteve të Bashkuara

Ambasada e Rusisë në Shtetet e Bashkuara ia ka dërguar një notë proteste Departamentit të Shtetit për shkak të marrjes në pyetje të nënkryetares së kuvendit rus nga Byroja Federale e Hetimeve, e njohur më shumë si FBI.

Nënkryetarja e kuvendit rus, Inga Yumasheva, u mor në pyetje për një orë nga zyrtarët e FBI-së pasi arriti në Nju Jork. Kështu thuhet në deklaratën e ambasadës ruse në Shtetet e Bashkuara, e cila u publikua në rrjetet sociale.

“Nga ajo u kërkua që të shkojë në një dhomë tjetër dhe një zyrtar i FBI-së filloi ta marrë në pyetje dhe procesi zgjati një orë”, citohet të ketë thënë ambasadori rus, Anatoly Antonov.

“Për më tepër, asaj iu bë ofertë që të takohet me zyrtarin e FBI-së në një vend më joformal dhe ta vazhdojë bisedën me të”, shtoi ambasadori.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë të tensionuara për shkak të disa çështjeve, përfshirë Sirinë, Ukrainën dhe ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në politikën amerikane.

Muajin e kaluar, Uashingtoni refuzoi të lëshojë viza për 10 anëtarë të një delegacioni rus, i cili synonte të merrte pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)