Shtëpia e Bardhë ia ndalon ambasadorit në BE që të raportojë para demokratëve

  • 08 October 2019 - 15:31
Shtëpia e Bardhë ia ndalon ambasadorit në BE që të raportojë para demokratëve

Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara ia ka ndaluar ambasadorit amerikan në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland, që të raportojë privatisht para anëtarëve demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve lidhur me hetimet ndaj presidentit Trump, siç ishte planifikuar për të martën në mëngjes.

Sondland kishte bërë plan të raportonte në mënyrë vullnetare për komunikimit mes presidentit Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelinsky, gjatë një bisede me telefon më 25 korrik, kur lideri i Shtëpisë së Bardhë kërkoi nga kryetari i Ukrainës që të zhvillojë hetime kundër Joe Biden-it, i cili është kundërshtar politik i presidentit miliarder. 

Avokati i tij, Robert Luskin, e lëshoi një deklaratë, në të cilën thuhet: “Ai është ambasador fuqiplotë dhe punonjës i shtetit dhe nga ai kërkohet që ta ndjekë drejtimin e tyre. Ambasadori është shumë i dëshpëruar që nuk do të ketë mundësi të raportojë sot”, duke shtuar se ai kishte udhëtuar nga Brukseli në Uashington për këtë qëllim.

Luskin-i gjithashtu tha se ambasadori është i gatshëm të raportojë menjëherë pas ndonjë njoftimi të shkurtër, kurdo që i lejohet paraqitja para komisionit.

Ndryshe, sipas një sondazhi, 58 për qind e publikut amerikan i përkrahin hetimet kundër presidentit të tyre, ndërsa 49 për qind e qytetarëve e përkrahin përpjekjen për shkarkimin e tij nga pozita më e lartë e shtetit, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)