Analiza e fortë: Ja ku gaboi LDK-ja, vetëm kjo e rikthen në krye këtë parti...

  • 09 October 2019 - 07:42
Analiza e fortë: Ja ku gaboi LDK-ja, vetëm kjo e rikthen në krye këtë parti...

LDK gaboi në rizgjedhjen e Isa Mustafës si kryetar partie, dhe ka ndikuar që LDK me një diference tejet të vogël e të papërfillshme nuk doli forcë e parë politike.

Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, të dielen zgjodhën përfaqësuesit e tyre për në Kuvendin e Kosovës, ku më pas do të zgjidhet e Qeveria e re me mandat 4 vjeçar.

Image
Skender Kaipiti

Në këto zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës e treta,ndërsa koalicioni AAK-PSD del partia e katërt. Kurse koalicioni Nisma-AKR, nuk e kaloi fare pragun zgjedhor.

Vendimi i sovranit me 6 tetor bëri kthesën historike në politikën e Kosovës, ku afër 60% e votuesve i thanë jo keqqeverisjes të deritanishme.

Po a do të vetëkorrigjohet LDK-ja, pasiqë në këto zgjedhje sovrani tregoi se e do ndryshimin në vend, dhe a do të merret qeveria e re me monopolet kriminale gjë që nuk kanë arritur të bëjnë deri më tani qeveritë e kaluara?

Në lidhje me këtë temë për "Kosova Sot Online" foli analisti Skender Kapiti, sipas të cilit rezultati që arriti LDK-ja në këto zgjedhje, konsiderohet si fitore personale e kandidates për kryeministre-, Vjosa Osmani-Sadriu.

"Rezultati që arriti në këto zgjedhje LDK-ja i faturohet në masë të konsiderueshme si fitore personale të kandidates për kryeministre znj. Vjosa Osmani, e cila ka qenë dhe ka mbajtur edhe brenda LDK-së një qëndrim individual që ka qenë në kundërshti me lidershipin e LDK-së dhe të Isa Mustafës, kundër zgjedhjes së Thaçit president dhe kundër ndarjes së Kosovës. Ajo u ktheu besimin simpatizantëve të LDK-së se qeverisja e saj do të kishte krejtësisht profil tjetër nga ajo e Isa Mustafës dhe të disa të tjerëve rreth tij, ajo betohej se kurrë koalicion me PDK-në", tha Kapiti për "Kosova Sot Online"

Kapiti tha se LDK gaboi në rizgjedhjen e Isa Mustafes si kryetar partie, pasi sipas tij, kjo ka ndikuar që LDK me një diference tejet të vogël e të papërfillshme nuk doli forcë e parë politike.

"Pasi si opozita ashtu edhe klane dashakeqëse e disfatiste politike brenda LDK-së manipulonin se me demek Vjosa është sa për fasadë, se urdhëratë e qeverisjen do ta bëjnë të tjerët , ata të cilët edhe vetë anëtarësia e LDK-së nuk i donte. Të presim se si do vijnë gjërat, dhe nëse Vjosa Osmani me marrëveshje arrin që të bëhet kryeministre, ajo duhet të mbaje premtimet që ka bërë në fushatë, edhe nëse jo si kryeministre, të gjithë ministrat e LDK-së të qeverisë së mundshme të koalicionit besoj se do ta kryejnë detyrën shembullore si shërbëtore të popullit që i votoi, si shembullore e të pakorruptuar e të përgjegjshëm para ligjit, postit e detyrës qeverisëse që do t'u ngarkohen. Dhe me shembull të tillë LDK do të ringrihet, ashtu si në kohën e Rugovës", tha Kapiti për "Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online)