Erdogan thotë se Turqia e ka nisur ofensivën në Siri

  • 09 October 2019 - 15:59
Erdogan thotë se Turqia e ka nisur ofensivën në Siri

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, tha të mërkurën se forcat turke, së bashku me aleatët rebelë, e kanë nisur operacionin ushtarak në pjesën verilindore të Sirisë, duke shtuar se qëllimi i kësaj offensive është eliminimi i një korridori të terrorit përgjatë kufirit juglindor të Turqisë.

Presidenti turk tha se operacioni i emërtuar “Pranvera e Paqes” ka për qëllim që t’i eliminojë kërcënimet që vijnë nga forcat kurde dhe militantët e Shtetit Islamik dhe ta mundësojë kthimin e refugjatëve sirianë nga Turqia pas krijimit të zonës së sigurisë.

“Misioni ynë është që ta parandalojmë krijimin e një korridori të terrorit përgjatë kufirit tonë jugor dhe të sjellim paqe në atë rajon. Ne do ta ruajmë integritetin territorial të Sirisë dhe do t’i lirojmë komunitetet lokale nga terroristët”, shkroi kreu i shtetit turk në Twitter.

Operacioni i ushtrisë turke vjen pas vendimit të presidentit amerikan për t’i tërhequr forcat amerikane dhe për t’ia hapur rrugën Turqisë që ta marrë përgjegjësinë për mijëra militant të burgosur të Shtetit Islamik.

Në anën tjetër, militantët kurdë, të cilët deri më tash e kanë pasur mbështetjen e ushtrisë amerikane, kanë thënë se do të kundërpërgjigjen ndaj sulmeve të mundshme të forcave turke, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)