‘Goditje’ për Kelmendin dhe Veselin: Kosovarët ua treguan vendin...

  • 11 October 2019 - 07:45
‘Goditje’ për Kelmendin dhe Veselin: Kosovarët ua treguan vendin...

“Qytetarët i dhanë një goditje Ramiz Kelmendit, duke ia nxjerrë në opozitë partinë e tij të preferuar, PDK, dhe tani ai do i nënshtrohet respektimit të ligjit, për një biznes në kushte normale, pa qenë i favorizuar për kontrabandimin, sidomos të mallrave serbe, dhe respektim të të drejtave të punëtorëve", tha Haziri.

I pa rehatuari në partitë politike, mafio-oligraku Ramiz Kelmendi si duket nuk i ec mirë politika, pasi që iu ribashkua PDK-së, partia e tij doli e treta në këto zgjedhje.

Sipas analistëve, Ramiz Kelmendi është treguar qesharak duke i kërkuar punonjësve të tij votën edhe kësaj here për të përkrahur kryetarin e tij, Kadri Veselin duke shpresuar se do të vazhdojnë "zaptimin" e shtetit dhe duke përfituar favore me poste biznesore dhe politike.

E hetimet menjëherë kanë nisur ndaj Ramiz Klemendit, për cenim të paracaktimit të lirë të votuesve, pasi iu bëri thirrje punëtorëve të tij të votojnë për Kadri Veselin.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinion se, pas deklaratave publike të biznesmenit, R.K., i cili është duke kërkuar votën nga të punësuarit në kompaninë e tij, me qëllim të favorizimit dhe votimit për njërën nga partitë politike të Kosovës, ka ndërmarrë veprime përkatëse hetimore, duke e iniciuar si rast paraprak penal, lidhur me veprën penale “Cenimi i paracaktimit të lirë të votuesve” nga neni 210 të KPK-së”, thuhej në komunikatën e Prokurorisë.

Image
Nexhat Haziri

Kurse në lidhje me këtë temë, për "Kosova Sot Online" analisti politik, Nexhat Haziri tha se Ramiz Kelmendi do të duhej të përballej me ligjin.

"Po të kishim një sistem më të konsoliduar të drejtësisë dhe kritere demokratike të sjelljes edhe gjatë periudhave të fushatave zgjedhore, Ramiz Kelmendi do të duhej të përballje me padi gjyqësore për imponim të të votës për një subjekt të caktuar politik. Askund në shoqëritë që mëtojnë të jenë demokratike, pronarët e ndërmarrjeve nuk tentojnë që të punësuarve t’ua kushtëzojnë votën për një parti politike me qëndrim në vendin e punës", tha Haziri për "Kosova Sot Online".

Më tej, Haziri tha se në Kosovë nuk ka sipërmarrës, por ka oligarkë që duke bashkëpunuar me pushtetin veprojnë jashtëligjshëm në biznes.

"Por në të vërtetë ne nuk kemi sipërmarrës, por kemi oligarkë që duke qenë të afërt me pushtetin apo partinë që qeverisë, veprojnë jashtë çdo rregulli të bërit biznes, jo vetëm duke dëmtuar buxhetin e shtetit, por edhe duke i shkelur në mënyrë më të egër të drejtat e të punësuarve, duke i shndërruar edhe në skllav", shtoi Haziri për “Kosova Sot Online.

Sipas tij, kërkimi i votave nga të punësuarit e tij, tregon mjerimin e shoqërisë kosovare.

"Pra imponimi nga ana e Ramiz Kelmendit se kë duhet ta votojnë të punësuarit e në qendrat tregtare në të cilat ai është pronar, nuk është qesharake, por shpërfaq mjerimin tonë si shoqëri dhe shpirtngushtësinë e një njeriu si Ramiz Kelmendi që të punësuarit nuk i konsideron si pjesë e kësaj shoqëri më të drejta të barabarta, të dinjitetshëm dhe sovran për të zgjedhur dhe për tu zgjidhur. Në këtë rast një shoqëri e dinjitetshme do të bënte thirrje për bojkotim të qendrave të tij tregtare si revolt ndaj veprimit të ti johuman", deklaroi Haziri.

"Është për tu habitur se as sindikatat e punëtorëve, qoftë ajo e sektorit privat nuk reagoi dhe kjo fletë shumë. Megjithatë qytetarët i dhanë një goditje Ramiz Kelmendit, duke ia nxjerrë në opozitë partinë e tij të preferuar, PDK, dhe tani ai do i nënshtrohet respektimit të ligjit, për një biznes në kushte normale,pa qene i favorizuar për kontrabandimin, sidomos të mallrave serbe, dhe respektim të të drejtave të punëtorëve", përfundoi për “Kosova Sot Online”, analisti politik, Nexhat Haziri.

(Kosova Sot Online)